Durrës, 2 nëntor, NOA – Pasi ka konstatuar vjedhjen e kushtueshme në magazinën e tij, një baba i dëshpëruar nga qyteti i Durrësit ka rendur menjëherë drejt komisariatit të policisë për të denoncuar atje dy djemtë e tij si autorë të saj.
Ngjarja e cila raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Durrësit, tregon sesi denoncuesi është 55-vjeçari me inicialet S.M., banues i këtij qyteti, i cili ka deklaruar konkretisht në polici se gjatë orëve të para të mëngjesit, dy djemtë e tij janë futur nëpërmjet dyerve (duke dëmtuar dhe këputur drynat e tyre) në katin e nëndheshëm të magazinës së tij e ku kanë marrë shumën prej 30.000 eurosh, si dhe 100 copë rubinetash prej bronzi me vlerë 100.000 lekë.
Menjëherë forcat e policisë filluan procedimin penal në mungesë të dy vëllezërve me emrat Kosta Mano, 26-vjeç dhe Konti Mano, 23-vjeç.
Për këta persona është bërë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e tyre, ndërsa u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet iu kaluan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
n.e/NOA