English

Heqja e vizave, Basha: Duhet vetëm mirëbesim dhe përgjegjshmëri

Tiranë, 2 nëntor, NOA – “Europa me sinjalin e heqjes së vizave pas përmbushjes së kritereve nga qeveria demonstron gatishmërinë, dashamirësinë ndaj qytetarëve shqiptarë, por pret edhe një sjellje të përgjegjshme nga qytetarët e këtij vendi”.

Kështu u është drejtuar sot ministri i Brendshëm, Lulzim Basha nxënësve të gjimnazit “Myslym Keta” në zonën e Kombinatit gjatë turit të tij të bashkëbisedimit me qytetarët në mbarë vendin, për rregullat, të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Në këtë kontekst, ministri Basha u bëri thirrje të rinjve të ndërgjegjësohen duke u thënë atyre se në rast se do ta mirëbesonin këtë vendim të BE-së atëherë nuk kanë pse t’i tremben kalimit të kufirit, për të cilin do t’u duhet vetëm pasaporta biometrike dhe mirëbesimi me të cilin do t’i drejtohen kufirit.

Ministri Basha trajtoi gjerësisht në këtë takim çështjen e mirëbesimit dhe bashkëpunimit me autoritetet e policisë kufitare dhe migracionit nëse kjo do t’u kërkohet.

“E para është që me pasaportë biometrike çdo qytetar shqiptar udhëton lirshëm në hapësirën Shengen. E dyta është, që ky udhëtim duhet të jetë në kushtet e mirëbesimit, dhe kushtet e mirëbesimit do të thotë që çdo qytetar shqiptar duhet të marë masa që kostot e këtij udhëtimi, kostot e këtij qëndrimi të jenë në mënyrë të arsyeshme të planifikuara”, tha zoti Basha.

Ministri i Brendshëm tha se për daljen jashtë kufijve nuk kanë rëndësi paratë që merren me vete, llogaritë bankare të hapura, apo personat mikpritës, i rëndësishëm është mirëbesimi.

Ministri Basha theksoi se pas heqjes së vizave nuk ka më asnjë pengesë mes qytetarit shqiptar dhe hapësirës Shengen, përveç kushteve të lartpërmendura.

mit/NOA
KOMENTE