Tiranë, 2 nëntor, NOA - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka përfunduar kontrollin e plotë për mbi 200 zyrtarë të zgjedhur me short, si edhe disa subjekte të tjerë, të cilët i janë nënshtruar hetimit administrativ gjatë muajve të fundit.
Për disa subjekte, të cilët kanë rezultuar në shkelje të ligjit, ILDKP ka kërkuar nisjen e procedimit penal nga organi i Prokurorisë për “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”; si edhe ka aplikuar masën administrative “gjobë” për rastet e “konfliktit të interesave” dhe për disa shkelje të ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive.
ILDKP raporton sesi nga të dhëna të mbledhura gjatë procedurës së hetimit administrativ, ILDKP ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa subjekte deklarues dhe personat e lidhur me ta kanë kryer veprime të kundërligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive që disponojnë, të cilat kërkojnë veprime të mëtejshme investiguese.
Sa i përket kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ILDKP pohon se ai nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Ndërsa për Dritan Priftin, ish-ministër i METE, ILDKP ka krijuar dyshime se bashkëshortja, Meri Prifti, kakryer veprime të kundërligjshme në mënyrën e krijimit të pasurive, në rastin e rritjes së përqindjes së aksioneve në “FORTIS 2” sh.p.k pa dhënë asnjë kontribut real në vlerë apo në natyrë, përveç kapitalit fillestar; si edhe në realizimin e kontratës së shit-blerjes së aksioneve në këtë shoqëri në vlerën 242.704.970 lekë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Gjithashtu, subjekti Dritan Prifti është gjobitur me 300.000 lekë gjobë për shkak të konfliktit të interesave, si ministër, në emërimin e shtetasit Rasim Hamzaraj, më 23.09.2009, si Anëtar i Këshillit Mbikqyrës së OST, duke qenë se ai konsiderohej “person i besuar” me subjektin, pasi kishte në administrim kapitalet e bashkëshortes së subjektit Prifti pak ditë para emërimit, më 10.09.2009.
Sa për deputeten Albana Vokshi, ILDKP pohon se ka gjobitur me 30.000 lekë shtetasin Arian Tartari për “Refuzim për deklarim me kërkesë nga ana e personit të lidhur”. Gjithashtu, ILDKP gjatë periudhës Prill-Tetor 2010, ka vendosur masat administrative “gjobë” për 12 zyrtarë, të gjendur në kushtet e konfliktit të interesave.
Më konkretisht:
Besard Banushi Inspektor, Tatime Gjirokastër 100,000 lekë
Endrit Maloku Inspektor, Tatime Fier 100,000 lekë
Isa Ramaj Kryetar Komune Qendër M.Madhe 100,000 lekë
Ledina Ferko Inspektore, Tatime Fier 100,000 lekë
Vjollca Dokolli Inspektore,Tatime Tiranë 100,000 lekë
Halil Cara Doganier Durrës 100,000 lekë
Ylli Muho Kryetar Komune Antigone Gjirokoastër 100,000 lekë
Ened Kosova Doganier Kapshticë 100,000 lekë
Denada Kote Inpektore, Tatime Elbasan 150,000 lekë
Perikli Zisi Drejtor i Auditit, Bashkia Sarandë 10,000 lekë
Osman Balani Drejtor Ekonomik, Bashkia Sarandë 10,000 lekë
Syrja Ormënaj Kryetar Bashkie, Ura Vajgurore 200.000 lekë
n.e/NOA