English

ILDKP: Pasuria e deklaruar nga Rama e vërtetë, pa shtëpi dhe 3 mije euro në bankë

>> Gjobiten 12 deputetë dhe zyrtarë

Tiranë, 2 nëntor, NOA Update - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ndërsa ka përfunduar kontrollin e plotë për mbi 200 zyrtarë të zgjedhur me short, mes tyre ka analizuar edhe atë të pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i selisë rozë, Edi Rama, për të cilën ka pohuar se është konfrom deklaratës së dorëzuar prej tij para këtij institucioni.

“Subjekti Edi Rama, me funksion kryetar i Bashkisë Tiranë, në përfundim të procedurave investiguese, rezulton se ka përputhje mes vetë-deklarimit nga ana e subjektit dhe të dhënave të marra nga ILDKP në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë”, citon deklarata e ILDKP-së lidhur me pasurinë e Edi Ramës.

Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pranon që kryebashkiaku nuk na paska shtëpi ku të banojë dhe vetëm 3 mijë euro llogari bankare, e gjitha si shumë e vetme e kurimeve nga paga e tij.

Të mos harrojmë se deklarata e pasurisë e dorëzuar nga Edi Rama për këtë vit pranë ILDKP-së u cilësua si ajo e politikanit më të varfër në vend, të paktën për nga të dhënat që ajo përmbante brenda saj.

Kështu, Edi Rama në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2009 deklaroi të ardhurat nga paga vjetore 1850807 lekë, dhe se figuronte si i pastrehë.

E duket se për një gjë të tillë, edhe vetë ILDKP e ka përkrahur, pa e vënë në dyshim vërtetësinë e saj.

Nga ana tjetër, edhe në lidhje me akuzat e mazhorancës se ai ka përfituar nga ryshfetet në të ashtuquajturin “skandali me Tan Lepurin”, ILDKP nuk e ngarkoi me anjë fajësi Ramën.

“Gjatë veprimeve kontrolluese, Inspektorati i Lartë ka kërkuar informacion nga Bashkia Tiranë për marrëdhënie që mund të kishte krijuar shtetasi Dritan Avllaj me këtë institucion dhe nga përgjigja zyrtare, rezulton se ky shtetas, për të cilin ka pasur diskutime në media se ka lidhje interesash private me subjektin Edi Rama, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, përfundon deklarata e Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive.

n.e/NOA

KOMENTE