Tiranë, 2 nëntor, NOA - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, informoi sot komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, në një seancë dëgjimore, pas kërkesës së një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, mbi gjendjen aktuale të demontimit të municioneve të tepërta në vendin tonë.
Ai i informoi dhe i njohu të pranishmit me të gjitha procedurat e ndjekura deri më tani për procesin e asgjësimit të municioneve si dhe me punën, masat dhe procedurat që do të ndiqen në vijimësi nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.
“Duke u nisur nga fakti se Shqipëria trashëgoi nga sistemi i kaluar rreth 200 mijë ton municione të tepërta, të cilat i shërbenin një ushtrie tjetër, me një mision tjetër, nga viti 1990 u pa jo vetëm e domosdoshme, por edhe e nevojshme që ushtria që ne kemi sot, e cila është në numër më e vogël, tërësisht profesioniste të çlirohet nga kjo barrë dhe rrezik permanent për vendin dhe rajonin. Por, sigurisht kjo ushtri duhet riarmatosur, duhet ripajisur me mjete logjistike të sofistikuara dhe të kohëve të fundit”, tha ai.
Duke shtuar se sipas viteve të prodhimit, sot në depot tona ne kemi rreth 5% municione të vjetra ruse të prodhuara gjatë viteve 1945-1960, municione të prodhimit kinez, të cilat përkojnë me vitet 1960-1970 dhe kapin shifrën mbi 80%, ndërkohë kemi edhe municione të prodhuara nga fabrikat tona, të cilat i përkasin viteve 1967-1992 dhe janë rreth 10%. “Kështu që rreth 95% e municioneve janë mbi 40 vjet të vjetra, ndërkohë që mesatarja që municionet të qëndrojnë në një gjendje të mirë, të pëlqyeshme, të shitshme, të përdorshme dhe me siguri të plotë teknike është me një mesatare 20 vjeçare”, bëri me dije Imami.
Duke sqaruar në këtë aspekt se problematika jonë, është mosha e vjetër e municioneve, dekompozimi i barutave dhe rënia e parametrave teknikë të tyre, magazinimi i municioneve në vite jo sipas standardeve, mungesa e të dhënave të plota të gjendjes cilësore të tyre, reduktimi i njësive të reparteve, si dhe personeli në planin e ri të përhapjes, heqja nga struktura e FA-së e një sërë armësh dhe përqendrimi i depove të municioneve.
Sipas të dhënave që paraqiti Imami, në vitin 1992, Forcat tona të Armatosura kishin rreth 194 mijë ton municione, ndërsa në vitet 2003-2008 janë asgjësuar 74 mijë ton municione, në vitin 2008 janë vlerësuar gjendje në FA rreth 100 mijë ton municione.
“Për kompletimin e FA-së janë të nevojshme rreth 15 mijë ton prej tyre, kështu që diferenca prej 85 mijë ton është një diferencë për të cilën duhet gjetur zgjidhje. Zgjidhjet janë të kësaj natyre: me asgjesim me demontim industrial, shitje, falje dhe përdorimi i tyre për qitje dhe stërvitje”, tha ministri Imami.
n.e/NOA