Tiranë, 2 nëntor, NOA Update – “Kur flasim për Piramidën, nuk bëhet fjalë për mazoleume apo Enverin. Enverin shqiptarët e kanë përcjellë vite më parë, por ajo çka ne duhet të bëjmë, është që të mos i nënshtrohemi talebanizmit, pra dukurisë së hedhjes në erë të gjithçkaje”.
Kështu e ka vijuar fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për Kuvendin e Ri, duke pohuar se talebanizëm quhet edhe ajo çka bërë Enver Hoxha në kohën e tij kur rrëzoi mbi 2 mijë objekte kulti dhe veprash arti.
Ai ka prekur më pas edhe çështjen e akomodimit të “Top-Media”, duke kërkuar nga qeveria që ajo të sistemohet si të gjitha mediat e tjera në mjedise të përshtatshme.
Nëse zgjidhen sipas tij këto çështje, sidomos edhe ajo financiare, atëherë opozita është dakord që t’i hapë rrugën projekteve të reja për Piramidën.
n.e/NOA