Tiranë, 2 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Panari i 13-të i librit “Tirana 2010”, aktiviteti më i madh i promovimit të librit shqip do të organizohet edhe këtë vit në Pallatin e Kongreseve nga data 11 deri më 15 nëntor.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë deklaron se do të marrin pjesë 80 subjekte botuese.
Panairi i Librit do të vizitohet nga presidenti i panairit të Lajpcigut, Oliver Zile.
Prezenca e autorëve të huaj është në kufijtë minimalë, ndërsa konfirmohet prezenca e autorit kroat, Edo Popovi?, i sapopërkthyer në gjuhën shqipe; poetit maqedonas Nikola Madzirov, etj.
Një stendë e rëndësishme e këtij panari do të jetë prezenca e projektit TRADUKI, një program mbështetës i përkthimit të letërsive mes vendeve ballkanike.
Projekti ka mbështetjen e gjerë të mjaft institucioneve, organizmave dhe fondacioneve evropiane, që punojnë në dobi të kulturës së shkruar dhe shkëmbimit ndërkulturor.
Ai përfshin letërsi nga Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Bullgaria, Maqedonia dhe sjell për lexuesin shqiptar disa nga arritjet më të mira të letërsisë bashkëkohore të këtyre vendeve në harkun kohor 2005 - 2010.
Përveç vendosjes së kontakteve me një letërsi fare pak të njohur tek ne, letërsi që herë për shkak të përkthimeve të munguara e herë për shak të paragjykimeve, ka tingëlluar e largët, edhe pse vjen prej fqinjëve tanë, vlerë tjetër e këtij projekti përbën edhe fakti se përkthimet bëhen nga gjuhët origjinale.
Ky projekt hap edhe për Shqipërinë një seri botimesh prej 10 titujsh të leximeve ballkanike.
Muaji korrik solli në shqip dy vepra të autorëve kroatë: Renato Bareti?-Hotel Grand, përkthyer nga Janka Selimi dhe Edo Popovi?-Kalda, një histori nën lëkurë, përkthyer nga Milena Selimi, në një bashkëpunim të TRADUKI-t me shtëpinë botuese IDEART.
Ndërsa janë në proces botimi, dy librat e autorëve boshnjakë - Emir Imamoviç Pirke dhe Ognjen Spahiç.
Në festivalin e fundit ndërkombëtar të Poetekës u nënshkruan dy kontrata të reja me autorët Alek Popov-Bullgari, për romanin e tij “Misioni Londër” dhe Vladimir Arsenijeviç- “Në hambarin e anijes”, të cilat do të botohen në vitin 2011.
Në vazhdë të këtij projekti është gati edhe fituesi i Çmimit Ballkanika i autorit serb Vladislav Bajac “Hamami Ballkanik”, në një bashkëpunim të këtij projekti me shtëpinë botuese “Toena”, përkthyer nga Ben Andoni.
Me këto përkthime nga gjuhët origjinale, lexuesi shqiptar do të pasurojë njohuritë e tij për letërsinë, që zhvillohet në vendet ballkanike.
Panairi sjell disa ndryshime në dhënien e çmimeve.
Këtë vit do të mungojë çmimi për stendën më të mirë, ndërsa janë shtuar dy çmime të reja, ai për veprën studimore më të mirë dhe çmimi special për letërsi profesionale. Ndërkaq, ashtu si edhe vitet e shkuara, do të jepet çmimi për librin më të mirë, ai për përkthimin më të mirë, si dhe çmimi për librin më të mirë për fëmijë.
Të ftuarit specialë të panairit janë publicistët dhe shkrimtarë shqipfolës nga trevat të ndryshme shqiptare: Kim Mehmeti-Maqedoni, Aurel Plasari-Shqipëri dhe Sabri Hamiti- Kosovë.
Botuesit shqiptarë po përpiqen të sjellin në shqip më të mirën e letërsisë botërore, e cila sipas Petrit Ymerit, është më lartë se ajo shqiptare, e për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm.
Panairi i Librit "Tirana 2010", ngjarja më e madhe kulturore e librit, që zhvillohet brenda kufijve të Shqipërisë, realizohet nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
Hapin një seri botimesh prej 10 titujsh te leximeve ballkanike.
Ato janë një pjesë e një projekti të hapur, që realizohet në bashkëpunim me TRADUKI-n, programi mbështetës i përkthimit të letërsive mes vendeve ballkanike. Projekti gëzon mbështetjen e gjerë të mjaft institucioneve, organizmave dhe fondacioneve evropiane që punojne në dobi të kulturës së shkruar dhe shkëmbimit ndërkulturor.
Ai përfshin letërsi nga Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Bullgaria, Maqedonia dhe sjell për lexuesin shqiptar disa nga arritjet më të mira të letërsisë bashkëkohore të këtyre vendeve në harkun kohor 2005 - 2010.
Ndërkohë janë në proces botimi dy librat e autorëve boshnjake, Emir Imamociv Pirke dhe Ognjen Spahiç.
m.s/mit/NOA