Shkodër, 2 nëntor, NOA – Vetëm brenda 24 orëve të fundit, forcat e policisë së Shkodrës kanë ndaluar 6 persona shkelës të ligjit.
Siç ato raportojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, i ndaluari i parë është Françesk Zefi, 32 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Tre Heronjtë” pasi është kapur në flagrancë me një pako të mbështjellë, që kishte brenda një sasi prej 611 gram lëndë narkotike, e llojit heroinë.
Ndërsa pas tij, janë arrestuar në flagrancë edhe 24-vjeçari Alfred Palushi dhe 25-vjeçari Marsel Mëhilli; që të dy lindur dhe banues në fshatin Stajka të komunës së Bushatit.
Arrestimi i tyre u bë për arsye se ata kanë qëlluar me armë zjarri në mes të fshatit, në një lokal gjatë orëve të mbrëmjes.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e Marsel Mëhillit u gjet një armë zjarri model 56, tip pushke 20, bashkë me dy krehëra nga 30 fishekë secila.
Po kështu, nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se pak para se të ndodhte konflikti, 22-vjeçari Albert Ndoja, lindur dhe banues në Hajmel, ka qëlluar me pistoletë në hyrje të lokalit.
Ky person është shpallur në kërkim nga ana e forcave policore dhe po punohet për kapjen e tij.
n.e/NOA