Tiranë, 2 nëntor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi do të zhvillojë gjatë dy ditëve të ardhshme një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar me ftesë të presidentit të “Oksford Union”, Xhejms Kingston.
Siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të Presidencës, kryetari i shtetit pritet të zhvillojë takime me kryetaren e Dhomës së Lordëve, baroneshën Helen Hejman; ministrin e Punëve të Jashtme për Evropën, David Lidington si dhe Kryetarin e grupit mbarë-parlamentar të parlamentit britanik për Shqipërinë, Mark Pritçard dhe parlamentarët e tjerë të këtij grupi.
Në ditën e parë të vizitës, presidenti i Republikës do të udhëtojë për në Oksford, ku do të pritet dhe do të zhvillojë një takim me presidentin e “Oxford Union”, Xhejms Kingston. Në axhendën e Presidentit Topi për këtë ditë parashikohet dhe mbajtja në “Oxford Union” e një leksioni me temë: “Situata në rajonin e Ballkanit dhe roli i Shqipërisë në rajon”.
Por gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Topi do të takohet gjithashtu me presidentin e BERZH-it, Tomas Mirou dhe me drejtuesin dhe themeluesin e revistës “First”, Rupert Gudmen, ndërkohë që pritet dhe një intervistë e Presidentit të Republikës për BBC-në, në seksionin shqip.
n.e/NOA