Durrës, 2 nëntor, NOA - Në kuadër të goditjes së fenomenit të prostitucionit, forcat e policisë së Durrësit kanë bërë të mundur goditjen e një rasti, konkretisht duke arrestuar në flagrancë dy persona, një djalë dhe një vajzë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke ndarë më pas edhe fitimet që siguronin nga ky aktivitet.
Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA dy të ndaluarit janë përkatësisht Armand Sefa, 32-vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe 27-vjeçarja me inicialet S.Y., lindur dhe banuese në qytetin e Durrësit, e dënuar edhe më parë për ushtrim prostitucioni.
Arrestimi i tyre u bë pasi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, e ndaluara u kap në flagrancë në një objekt të pabanuar përballë qendrës tregtare “Galaktik”, në qytetin bregdetar, duke ushtruar prostitucion me personat me iniciale E.C dhe K.D., kundrejt pagesës prej 500 lekë për person.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se kjo vajzë shfrytëzohej për qëllim prostitucioni nga Armand Sefa dhe përfitimet e nxjerra nga ky aktivitet i ndanin së bashku.
Nga ana e policisë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma prej 1000 lekësh si dhe 15 copë prezervativë.
Materialet iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” për Armand Sefën dhe “Ushtrimit të prostitucionit” për vajzën me iniciale S.Y.
n.e/NOA