Në një konferencë të posaçme për shtyp, para pak minutash kryesocialisti Rama deklaroi se opozita i kishte lënë një ofertë të re në tryezën për reformën, mazhorancës, një ofertë që për zgjidhjen e krizës politike, reflektonte sipas Ramës mot a mot rezolutën e Parlamentit Evropian.
“Qeveria nuk e ka lexuar ofertën, tha Rama, duke i drejtuar një apel të ri qeverisë që ta rilexojë dhe ta pranojë ofertën e opozitës, sepse pasqyron vullnetit e PE-së dhe reflekton domosdoshmërinë për transparencë në zgjidhjen e krizës përmes e kompromisit politik”, theksoi zoti Rama.“Ne do ta vazhdojmë përpjekjen tonë, dhe do të bëjmë çdo përpjekje, por e dimë se qeveria nuk e do kompromisin, sepse Berisha e di ç’farë ka në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit, sepse qeveria ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit”, theksoi kryetari i Partisë Socialiste.
Sipas shefit të opozitës, mbi të gjitha Sali Berisha është përditë e më shumë shprehja e dështimit të qeverisë së tij, e vizionit, programit nëse, sipas Ramës e ka patur ndonjëherë, si dhe për të gjitha masat e marra në ekonomi, që reflektojnë një krizë si kurrë ndonjëherë.
Kryesocialiste Edi Rama shprehu brengosjen e tij se për shkak të këtij dështimi të qeverisë, për shkak të krizës që i ka rrënjët tek vjedhja zgjedhjeve dhe mbajtja e kutive të mbyllura, dhe për shkak të korrupsionit në rritje, Shqipërisë po i refuzohet statusi i Kandidatit për në Bashkimin Evropian, një vendim që pritet të merret më 9 nëntor, pra të martën e ardhshme.
“Europa është sot në prag të dy vendimeve të rëndësishme për shqiptarët, pasi në rast se BE rrëzon murin e shëmtuar të vizave, nuk rrëzon murin tjetër atë të hyrjes në BE, sepse Europa u heq vizat shqiptarëve dhe i vë vizën qeverisë, për të refuzuar statusin e vendit kandidat”, tha kryesocialisti Rama, dhe sipas tij, Evropa nuk e merr këtë vendim për shqiptarët, por është një refuzim që ia dëshmon qeverisë së Sali Berishës.
“Në këto kushte Shqipëria paguan një çmim që nuk e meriton për shkak të keqqeverisjes dhe ne do të ngrihemi në një valë të re protestash për ta larguar këtë qeveri, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë një përgjigje të gjitha problemeve që ende nuk kanë gjetur zgjidhje nën këtë qeveri”, konfirmoi Rama.
Ai apeloi rishtas se opozita kërkon të dijë kush e vrau deputetin Fatmir Xhindi 18 muaj më parë, Remzi Veselin një javë më parë, gjithashtu opozita kërkon të dijë se përse krimi ka njohur maja si kurrë më parë, duke përjashtuar këtu sipas tij vitin e mbapshtë 1997.
Ai pohoi se siguria e jetës është kaq shumë e cenuar dhe se numri i krimeve është rritur duke kapërcyer shifrën 30 përqind më shumë se vitin e shkuar.
Janë këto shkaqe sipas Ramës, pra krimi dhe korrupsioni, që i mbyllën derën e Evropës, Shqipërisë, duke u bërë njësh me qeverinë.
Andaj opozita sipas shefit të saj, do të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme për ta ndalur këtë keqqeverisje me synimin sipas Ramës për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri të re, për një model të ri qeverisës.
Edhe në fund të konferencës për shtyp, kur kryesocialisti rama paralajmëroi se të premten do të takohet rishtas me gazetarët për bashkëbisedimin lidhur me krizën në vend, ai ritheksoi se qeveria nuk e ka lexuar ofertën e opozitës, pasi ka frikë nga transparenca e zgjedhjeve, pasi në kutitë gjenden e vërteta e zgjedhjeve dhe transparenca është e domosdoshme për të vendosur sipas Ramës raportet të drejta mes shtetit dhe qytetarit.
mit/NOA