>> Trokasin zgjedhjet e jashtëzakonshme
>> Mocioni i mosbesimit dhe kriza institucionale
>> Thaçi flet pas rrëzimit të Qeverisë së tij
Prishtinë, 2 nëntor, NOA Update – Presidenti kosovar aktual në detyrë, Jakup Krasniqi, ka deklaruar përmes një konference të posaçme për shtyp se data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës, do të jetë 12 dhjetor 2010.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e kreut të shtetit pas dorëheqjes së ish-presidentit Fatmir Sejdiu, shtoi më pas se është dekretuar dje ligji për zgjedhjet dhe se data 12 dhjetor është konsideruar si më e mundshmja dhe më e afërta për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Një situatë e tillë është krijuar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi kërkesën për mocion votëbesimi ndaj qeverisë së mbetur vetëm me Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, e paraqitur nga partia e Aleancës për Kosovën e Re, e kryesuar nga Bexhet Pacolli.Para këtij akti, ushtruesi i postit të presidentit kosovar në detyrë, Jakup Krasniqi, kishte deklaruar datën e zgjedhjeve të parakohshme, 13 shkurtin e vitit të ardhshëm, por duket se përmbysja e qeverisë Thaçi nga Kuvendi, e detyroi atë të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
n.e/NOA