Prishtinë, 2 nëntor, NOA Update – Kriza politike që përfshiu Kosovën dhe ajo e qeverisë së saj në veçanti, nuk u dëshirua prej askujt, por ja që u imponua dhe fatkeqësisht Partisë Demokratike të Kosovës, iu desh të përballej me të.
Ky ka qenë komenti që ka dhënë menjëherë pas rënies së qeverisë së tij nga votat e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi, sipas të cilit, askush nuk e deshi këtë që ndodhi, por ja që kështu u krijuan rrethanat dhe PDK-së nuk i mbetej gjë tjetër veçse të përballonte të gjitha pasojat dhe situatat e krijuara.
“Vendimi i Kuvendit, për mua është i respektuar. Ky proces nëpër të cilin po kalon vendi është test tjetër i rëndësishëm për shtetin. Po përballemi me test të demokracisë në shtetin tonë të ri, ndaj duhet që të jemi të përgjegjshëm dhe duhet të përballemi me situatën”, vuri në dukje më pas kryeministri kosovar..
Sipas tij, vendimi i Kuvendit do të konsolidojë demokracinë, ndërkaq shprehu besimin se Kuvendi do të votojë mocionin për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja, me legjitimitet të ri.
n.e/NOA