English

Basha me Ghaith, flasin për recesionin global dhe reformat në Shqipëri

Tiranë, 3 Nëntor 2010 NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti sot në një takim Zv.ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe Z. Khalid Ghanimal Ghaith.

Basha dhe z. Gaith vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për çuarjen përpara dhe konkretizimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh.

Ministri informoi funksionarin e lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe mbi aspektet kryesore të reformave të qeverisë Berisha që kanë mundësuar një progres solid të ekonomisë pavarësisht reçesionit ekonomik në nivel global.

Basha u shpreh gjithashtu në takim se qeveria Berisha i ka kushtuar një vëmendje të veçantë jo vetëm lehtësirave për investimet e huaja në Shqipëri, por edhe krijimit të një klime sa më të sigurt për zhvillimin dhe suksesin e tyre.

“Treguesit e rendit dhe sigurisë në vend janë garancia më e mirë për zhvillimin në një klimë më se të sigurt të investimeve arabe, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri”, -deklaroi Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në takimin me Zv.ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe Z. Khalid Ghanimal Ghaith.

e.r/NOA

KOMENTE