Tiranë, 3 nëntor, NOA - Bashkia e Tiranës vazhdon punën për realizimin e fazës së parë të projektit “Transporti Multimodal/Korsitë e Dedikuara dhe Rritja e Sigurisë Rrugore. Gjatë inspektimit të kryer në kryqëzimin e rrugës ”Sami Frashëri” me Unazën, (ura pranë Drejtorisë së Policisë), pasi prezantoi këtë zhvillim të ri në menaxhimin e transportit publik, kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, iu referua gjithashtu edhe situatës më të fundit të krijuar në transportin publik kryeqytetas, duke kërkuar mospenalizimin e transportit publik, qytetit dhe qytetarëve, për arsye politike.
“Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë zhvillim të ri, në menaxhimin e transportit publik, duke shtuar korsitë e dedikuara për autobusët dhe duke bërë të mundur që gjithmonë e më tepër qytetarë të parapëlqejnë autobusin, në raport me veturën, si në çdo kryeqytet dhe qytet evropian, ku prioriteti është gjithnjë e më shumë drejt transportit publik”, tha ai.
Duke shtuar se Bashkia ka biseduar me të gjithë operatorët në Tiranë.
“U kemi bërë të qartë se pavarësisht vështirësive objektive që ata kanë, për shkak të një politike të mbrapshtë të qeverisë, lidhur me taksën e importit dhe kreditimin e TVSH-së, që për të mbështetur pikërisht transportin publik, në gjithë botën janë të ndara nga mjetet e tjera, është e patolerueshme që të penalizohen qytetarët dhe që abonetë apo të gjithë kartat e tjera që njihen nga ligji, të refuzohen për qytetarët. Të gjithë këto ditë që kanë kaluar me këtë veprim, konsiderohen prej nesh si të patolerueshme dhe do të ndëshkohen me gjobat përkatëse. Ndërkohë, apeli ynë është i qartë dhe i prerë; që nesër të gjithë duhet të kenë abonetë dhe të gjithë ata që kanë kartat e veçanta, në bazë të ligjit duhet të mirëpriten në të gjithë linjat e autobusëve të Tiranës”.
Nga ana tjetër, Rama tha se qeveria dhe kreu i qeverisë nuk duhet të penalizojnë transportin publik, qytetin dhe qytetarët, për arsye politike dhe duhet të konsiderojnë domosdoshmërinë e rishikimit të taksës së importeve dhe kreditimit të tvsh-së, për mjetet e transportit publik në të gjithë Shqipërinë, sepse janë për qytetarët, janë për lëvizjen normale në qytetet tona të të gjithë qytetarëve pa dallim, të majtë e të djathtë dhe nuk janë as për kryetarët e bashkive dhe as për bashkitë të cilat po shikohen përditë e më shumë si kështjella të armikut, që kërkohet të merren me dhunën tradicionale të Sali Berishës dhe të kësaj qeverie që e ka kthyer ”karagjozllëkun”, në mjet për të sunduar shqiptarët, me një propagandë shpifjesh dhe akuzash nga më të ndryshmet, që nuk kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve.
“Kjo është një çështje penalitetesh, të fiksuara në marrëveshjet kontraktuale. U është thënë qartë nuk do të tolerohet dhe ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm se është e domosdoshme që qeveria të japë zgjidhjet e veta, për të lehtësuar importin e mjeteve të transportit publik, duke diferencuar taksën për këto mjete, sepse e bën këtë diferencim, jo për ata që operojnë, por për qytetarët dhe njëkohësisht të rishikojë kreditimin e tvsh-së, që është rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne kemi të gjithë arsyet që të besojmë se është bërë me qëllim, për të penguar transformimin rrënjësor të të gjithë linjave të transportit në kryeqytet, në funksion të betejës për kryeqytetin, që e kanë të humbur dhe është e kotë që përpiqen të ndryshojnë fatin e saj me këto metoda, që prej vitesh kanë rënduar vetëm mbi jetën e kryeqytetasve, vetëm mbi cilësinë e jetës në kryeqytet dhe nuk kanë sjellë asnjë fat për rezultatet e atyre që sot e sundojnë Shqipërinë me vota të vjedhura, por që kurrë nuk mund të sundojnë popullin e kryeqytetit dhe nuk do të mund të kenë në dorë çelësat e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Rama.
Projekti “Transporti Multimodal/Korsitë e Dedikuara dhe Rritja e Sigurisë Rrugore” parashikon punimet e ndërtimit të sinjalistikës për sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve, sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues (makina private, transport publik, këmbësor), duke i dhënë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe lëvizjes këmbësore.
Përmes këtij projekti i cili parashikohet të përfundojë në fund të 2010-ës, përmbyset situata ekzistuese dhe krijohet një standart i ri bashkëkohor në lëvizje, duke qenë se mjetet e shërbimit publik (autobuzët, ambulancat etj), biçikletat, këmbësorët, marrin prioritet në lëvizjen në rrugë, në raport me makinat/mjetet private.
Deri më sot është punuar kryesisht në punime civile, si tek kryqëzimi i Inxhinierisë së Ndërtimit, “21 Dhjetori”, rruga e Kavajës dhe janë sistemuar kalimet e këmbësorëve në kryqëzime përgjatë Unazës ekzistuese, me elementët e nevojshme për një lëvizshmëri të sigurtë e mbi të gjitha duke u dhënë personave me aftësi të kufizuar, një mundësi për të patur një të përditshme më komode në itinerarin e lëvizjes së tyre.
Tashmë fillon një fazë tjetër pune që lidhet me elementët e sinjalistikës, ku përfshihen ndarësit e trafikut, tabelat, vijëzimi, kompletimi semaforëve, për të mundësuar korsinë e rezervuar Bus, korsinë e rezervuar të biçikletës, me qëllim jetësimin final të projektit në rrugët kryesore të qytetit, si Unaza, rruga e Kavajës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Bulevardi “Zogu i I”, rruga “Mine Peza” etj.
n.e/NOA