English

Dervishaj: Nënstacioni i Kasharit, investim i rëndësishëm

Tiranë, 3 nëntor, NOA – Zv/ministri i Ekonomisë Sokol Dervishaj, inspektoi sot punimet në nënstacionin e Kasharit, i cili po ndërtohet nga firma italiane “Ansaldo Trasmissione & Distribuzione S.p.A”.

Pasi pa nga afër punën e bërë deri tani, Dervishaj vlerësoi ndërtimin e nënstacionit të Kasharit si në ndër investimet më të rëndësishme në sistemin energjetik të vendit tonë.

Ai u shpreh se me ndërtimin e kësaj vepre energjetike do të marrë fund problemi i furnizimit me energji elektrike për kryeqytetin, por edhe për zonat përreth, si për zonën e Durrësit.

“Jemi këtu në nënstacionin e Kasharit, i cili përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në fushën e energjisë dhe të sistemit energjetik në vend. Jemi në një fazë afër përfundimit të punimeve. Ky nënstacion do të konsolidojë furnizimin me energji për zonën e Tiranës, por edhe për zonën e Durrësit, që përfaqëson aksion kryesor ekonomik të vendit. Këtu integrohen linjat 400 kv që vijnë nga Elbasani, por edhe linja e re që vjen nga Mali i Zi. Më pas bëhet shpërndarja e mëtejshme për konsumatorët në të gjithë rajonin që ju përmenda”, u shpreh Dervishaj.

Ai theksoi faktin se vlera e përgjithshme e ndërtimit të nënstacionit të Kasharit arrin në 35 milionë euro dhe sipas Dervishajt, investimi në fjalë do të jetë funksional brenda muajve të parë të vitit 2011.

n.e/NOA

KOMENTE