Tiranë, 3 nëntor, NOA - Banka e Shqipërisë i ka raportuar misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar se ecuria aktuale ekonomike e Shqipërisë është pozitive dhe se po vihet re një tendencë rënëse e defiçitit buxhetor.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë guvernatori i BSH, Ardian Fullani, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, në prani edhe të ministrit të Financave Ridvan Bode dhe shefit të misionit të FMN-së, Gervin Bell, ku sipas tij, këta tregues pozitivë kanë bërë që të kthehet besimi te sistemni bankar.
“Por edhe të ketë rënie të normave të interesave dhe përmirësim të treguesve të përgjithshme të biznesit”, tha ai.
Duke vijuar më tej, Fullani tha se kërkesa e jashtme për produkte shqiptare është shtuar, ndërsa ajo e brendshme është më e kontrolluar.
“Politikat fiskale kanë qenë të kujdesshme, drejt ruajtjes në moment afat gjatë të ritmit makro-ekonomik”, vijoi ai.
Për të përfunduar se “këto linja zhvillimi do të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme”.
Sipas Fullanit, stabiliteti i bankave dhe ai financiar kanë sjellë edhe stabilitet në konsum.
Por nuk ka harruar të pohojë edhe faktin se por përballemi me sfida dhe korrektimi i sjelljes fiskale ndaj biznesit paraqet në këtë aspekt, një domosdoshmëri.
“Eksportet do të kenë tendencë rritëse, por ndikimi i tyre në ekonomi, ende do të jetë i zbehtë”, tha Fullani.
n.e/NOA