Tiranë, 3 nëntor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri deklaroi sot nga selia rozë se “përfundimet e kontrollit të zhvilluar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për kreun e Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, janë përgjigjia më e mirë, që mund t’ i jepej nga një institucion i pavarur i shtetit shqiptar, shpifjeve dhe baltës, që ka hedhur gjatë këtyre muajve Sali Berisha.
Deputeti socialist, tha gjatë një konference për shtyp se ILDKP në përfundim të procedurave investiguese sqaroi se mes vetëdeklarimit të pasurisë nga ana zotit Rama dhe të dhënave të marra nga ILDKP përputhen në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë.
Sipas Tahirit, institucioni i pavarur, i ILDKP-së, ka hedhur poshtë të gjitha shpifjet e pushtetit të Sali Berishës, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur tërthorazi përmes hetimit të deklaratave të pasurisë, se akuzat e Sali Berishës dhe oborrit të tij janë kryekëput gënjeshtra.
Por, deputeti socialist, Saimir tahiri bëri me dije se ILDKP, përmes hetimeve që ka kryer, ka risjellë në vëmendje të shqiptarëve edhe vërtetësinë e akuzave të Partisë Socialiste, pasi ai ka pohuar se deklarimi i pasurisë së Albana Vokshit dhe Majlinda Bregut është problematik.
“Ky institucion tregon qartë mungesën e vullnetit të përfaqësuesve të pushtetit të Sali Berishës dhe familjarëve të tyre për të deklaruar pasuritë e tyre. Sot të gjithë kujtojnë shfajësimin e Vokshit me gjoja pretendimin se bashkëjetuesi i saj nuk ka detyrimin të deklarojë pasurinë, e po ky ishte edhe shfajësimi që i bëri Sali Berisha për aferat e përbashkëta”, tha deputeti Tahiri.
Ai sqaroi sakaq se Arian Tartari, bashkëjetues i Albana Vokshit, është gjobitur nga ILDKP për mosdeklarim të pasurisë.
Tahiri theksoi se çdo shqiptar është në dijeni të lidhjeve të familjarëve të Ministres së Integrimit me mafien Italiane të Sacra Corona Unita-s, ashtu sikundër janë në dijeni të lidhjeve të Arjan Tartarit me koncesionet e naftës, gazit dhe hidrocentraleve.
Sipas deputetit socialist, konkluzionet e ILDKP-së, mbi të gjitha u tregojnë shqiptarëve edhe mentalitetin e njeriut që sot sundon Shqipërinë me vota të vjedhura, pasi Sali Berisha është kryeministër që gënjeshtrën e mashtrimin i ka kthyer në metoda qeverisjeje, si njeriu që vodhi zgjedhjet për të vjedhur shqiptarët.
mit/NOA