Londër, 3 nëntor, NOA – Gjatë vizitës së punës në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u pritën sot nga Kryeministri britanik, Dejvid Kameron.
Gjatë bashkëbisedimit, dy personalitetet e larta nënvizuan rëndësinë e këtij takimi në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Presidenti Topi vuri në dukje se bashkëpunimi në të gjitha nivelet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar paraqitet i konsoliduar dhe i karakterizuar nga vullneti dypalësh drejt zgjerimit dhe forcimit të mëtejshëm të tij.
Kryetari i Shtetit vuri theksin në disa prej arritjeve të politikës sonë të jashtme, duke nënvizuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe miratimin nga ana e Parlamentit Evropian të Raportit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
“Kjo është një ngjarje e madhe, një hap tepër i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe realizimin e një aspirate madhore të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u takon merita për këtë, ashtu si dhe politikës, institucioneve shqiptare, por edhe të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim”, - u shpreh Presidenti Topi, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen e presidencës.
Kryeministri britanik Dejvid Kameron duke vënë në pah rëndësinë e vizitës së Kryetarit të Shtetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi sa i përket konsolidimit të shtetit ligjor, të rritjes së paanshmërisë dhe pavarësisë së sistemit ligjor në Shqipëri si dhe kontributin e tij personal e institucional në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Kryeministri Britanik, Kameron vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe kontributin tonë atje në kuadër të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.
mit/NOA