English

Mbërrin në Tiranë aktori Rexhep Mitrovica, lexime nga Jean Genêt në TK

Tiranë, 3 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Këtë javë në Tiranë mbërrin aktori i njohur shqiptar, Rexhep Mitrovica, i cili të premten në orën 20.00 do të lexojë në frëngjisht në mjediset e Teatrit Kombëtar, disa prej veprave të shkrimtarit francez, Jean Genêt, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij.

Në këtë aktivitet të organizuar nga ambasada e Francës në Tiranë, aktori i njohur me origjinë shqiptare do të lexojë dramat "I dënuar me vdekje", " Marshim i përmortshëm" dhe "Këngë dashurie" të Jean Genêt.

Rexhep Mitrovica është një nga figurat më të rëndësishme të teatrit francez.

Si aktor i teatrit kombëtar francez “Komedi Franceze”, ai ka interpretuar Hamletin, me të cilin ka fituar çmimin “Molière de la Révélation théâtrale”.

Shtypi francez e cilëson një aktor me potencial të lartë artistik, potencial që zë fill nga zëri i tij, portreti shprehës dhe plastika.

Këto cilësi të veçanta aktoriale e bëjnë, që të ketë mundësinë të interpretojë në shumë pjesë dramaturgjike të karakterit dramatik, komik dhe psikologjik.

Ai përmendet për role si Don Zhuani, Mbreti Lir, si dhe për interpretime të jashtëzakonshme në rolin e Orestit tek “Elektra” dhe në dramen “Jeta e Galileut” të Brehtit.

Në karrierën e tij si aktor numërohen shumë regjisorë francezë nga më të dëgjuarit, me të cilët ai ka luajtur mbi 80 role.

Edhe ne film ai ka luajtur pranë Miklos Jancso, Andrzej Zulaëski, Yves Angelo, Gilles Bourdos, Alexandre Sourine, Bruno Herbulot, Fabrice Cazeneuve, Patrick Tringale etj. Në këtë vizitë të dytë në Shqipëri, Rexhep Mitrovica prezanton lexime nga Jean Genêt, njëra prej shfaqjeve të tij të suksesshme, dhënë në Paris dhe Palestinë.

Shfaqja e radhës këtë vit për aktorin ishte “Opium” sipas Charles Baudelaire, vënë në skenë nga regjisori francez Ezéquiel Garcia-Romeu, në Teatrin Kombëtar të Nicës, në maj të këtij viti.

“Një zë dhe një diksion që Rexhep Mitrovica e vendos në shërbim të Baudelaire dhe e çon spektatorin direkt në zemrën e autorit”, e përshkruan shtypi francez.

Shfaqja që do të prezantohet për publikun e Tiranës në 5 nëntor, do të rrugëtojë për në “Shkupi Fest”, ku Rexhep Mitrovica do të shfaqet edhe përpara publikut të Shkupit në festivalin ndërkombëtar të teatrit, në Maqedoni.

m.s/mit/NOA
KOMENTE