Shkup, 3 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Shfaqja "Gilgamesh" nga Turqia do të hapë sot në mbrëmje në teatrin turk të Shkupit, festivalin "Skupi Festival", festival ndërkombëtar teatror, i cili sivjet mbërrin në edicionin e tij të katërt.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrove (FNT) “Skupi Festival”, u themelua në lokalet e I.N. të Teatrit Shqiptar - Shkup, në nëntor të vitit 2007.
Në atë kohë, u mbajt edicioni i parë i këtij festivali, me moton “luaj që të jesh”. Pjesëmarrësit në edicionin e sivjetëm priten të jenë trupa teatrore si Teatri Kombëtar Syldavia-Francë me shfaqjen “That thing”, kompania teatrore e Bukureshtit “La Steaua” me dramën “Women secret’s”, kompania teatrore “Polynia” nga Danimarka me shfaqjen “Who the fuck stardet all this”, mini-teatër nga Ljubljana-Slloveni me prezantimin teatror “Me&Al” dhe teatri i marionetave nga Pazarxhik-Bullgari me shfaqjen “Popcorn”. Kosova do të jetë pjesëmarrëse me shfaqjen “Vdekja dhe Vasha”, një dramë psikologjike, shkruar nga autori kilian Ariel Dorfman, një dramë mbi të shkuarën dhe të tashmen e një gruaje, ndërsa trupa shqiptare nga Teatri Kombëtar i Tiranës nuk e ka pranuar ftesën e organizatorëve, për shkaqe financiare.
Po pritet me shumë interes pjesëmarrja e aktorit shqiptaro-francez Rexhep Mitrovica, me leximin në frëngjisht të pjesëve "I dënuar me vdekje", " Marshim i përmortshëm" dhe " Këngë dashurie" nga Jean Genêt, një shfaqje e suksesshme e këtij aktori realizuar në Paris, Palestinë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Drejtor i Festivalit është Muzbajdin Qamili, Drejtor Artistik Senko Velinov, ndërsa Koordinator i Festivalit është Osman Ahmeti.
Anëtarë të tjerë të Festivalit janë: Kushtrim Bekteshi, Betim Zeqiri.
Ata janë janë njëkohësisht edhe themelues të Festivalit.
Karakteri i Festivalit “Skupi Fest” do të jetë një garë midis dramaturgut, aktorit, regjisorit dhe elementëve të tjerë me rëndësi, që sjell me vete një shfaqje teatrale.
FNT “SkupiFestival“ ka ambicie, që përmes këtij manifestimi teatral të reflektojë pasurinë kulturore të Maqedonisë, e cila po krijohet me gjenerata.
Festivali që nga edicioni i parë, po ecën bindshëm, si forcë lëvizëse e rrjedhave të lëna dhe ekonomike të vendit, por edhe si përfaqësues i manifestimeve cilësore kulturore.
Për organizatorët, Festivali FNT “SkupiFestival“ ka ambicie që të shtojë dinamikën e vet, pasi për të tanimë ka filluar një etapë e re e ecjes dhe ekzistencës, një sfidë e cila, në kontekstin e perspektivave të reja evropiane të këtij rajoni ballkanik, të marrë përsipër përgjegjësinë, që ta legjitimojë veten para të tjerëve.
Përveç çmimeve të përvitshme në këtë festival do të ndahet edhe Grand Prix, çmimi për shfaqjen më të mirë.
Kryetari i jurisë do të jetë Hana Landes, skenograf nga Gjermania, ndërsa anëtarë, regjisori Sinisha Eftimov dhe dramaturgu Shkëlzen Halimi.
m.s/mit/NOA