Tiranë, 3 nëntor, NOA – Pak pasi kryeparlamentarja jozefina Topalli i propozoi opozitës, të zgjedhë kandidatin për Avokatin e Popullit, dhe ta votojnë në Parlament, Partia Socialiste e ka kundërshtuar këtë ofertë duke e cilësuar atë si një shenjë dëshpërimi, me qëllim që të ndalet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Deputeti i Partisë Socialiste, saimir Tahiri, deklaroi gjatë një konference për shtyp se "Oferta e zonjës Topalli është njëkohësisht shenjë e dëshpërimit të pushtetit të Sali Berishës për të ndaluar me çdo kusht transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit".
Deputeti Tahiri e cilësoi ofertën e mazhorancës si një pazar politik, dhe jo një ofertë.
Sipas deputetit socialist PS kërkon transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke vlerësuar se ajo është mënyra më e mirë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen.
Më herët Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi në një prononcim për mediat se tha se "Mazhoranca i propozon Partisë Socialiste të sjellë kandidatin për Avokatin e Popullit dhe ta votojnë në Parlament", pas përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani.
“Pasi jam konsultuar me kryetarin e mazhorancës, kam marrë një ofertë të re nga zoti Berisha, për t’i përcjellë Partisë Socialiste dhe opozitës, ofertën për Avokatin e Popullit, ku mazhoranca me ofertën e re, që i bën PS-së, i jep të drejtën opozitës që të ketë një nga organet më të rëndësishme kushtetuese, Avokatin e Popullit”, u shpreh në këtë prononcim kryetarja e Parlamentit.
“Një gjë të tillë ia kam bërë të ditur Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që në mënyrën më urgjente të propozojnë emrin që dëshirojnë sipas ligjit, në mënyrë që opozita të marrë kreun e organit kushtetues të Avokatit të Popullit”, tha zonja Topalli.
I vetmi kushti sipas Topallit për përzgjedhjen e kandidatit të ri për Avokatin e Popullit, është që emri i propozuar të mos ketë qenë pjesë e proceseve gjyqësore politike gjatë diktaturës dhe të mos ketë pasur probleme me dhunimin e të drejtave të njeriut gjatë këtyre 20 viteve.
“Është një ofertë shumë serioze. Është një ofertë që ka të bëjë me kreun e një organi kushtetues me atë që është Avokati i Popullit”, shtoi zonja Topalli.
mit/NOA