Tiranë, 3 Nëntor, NOA/ Albert Zholi – 15-vjetori i krijimit të Shoqatës “Polifonia Shqiptare” i mblodhi të gjithë për këngën, forcën e shpirtit njerëzor para disa ditësh në ambjentet e Muzeut Kombëtar.
Festa e madhe e fustanellës së bardhë të këngës me këngë labe të polifonisë, mblodhi shumë personalitete të artit.
Sipas këngës së grupit polifonik “Bashkimi”, dollia e parë është për Shqipërinë dhe pastaj fjala përmes këngës mori rrugën e gjithë atdheut:
“-Marigo- zemër o
Ngrihu të të shikoj
Të keqen e syrit o!....”
Tashmë është e krenuar fjala polifoni si vlerë e madhe e shpirtit artistik njerëzor dhe ajo që e dallon aktivitetin e Shoqatës “Polifonia Shqiptare” pasi është organizimi i katër festivaleve në qytetin Bylis në një kështjellë 3000-vjeçare, që e bën legjitime këtë festë. Shumë shpejt do të zhvillohet edhe Festivali i pestë që sipas Neritan Cekës do t’i japë forcë traditës shekullore të polifonisë së këngës dhe mjeshtërisë së saj në brezat e rinj.
Këngën labe si dallgët e detit e përshëndetën me shpirtin e tyre artistik mjaft dashamirës e mbështetës të mirëfilltë:
Yzeir Llanaj- kryetar i Shoqatës: “Kemi bërë aktivitete me shpirt që polifonia jonë të qëndrojë brilante si një “mbretëreshë e virgjër” e këngës në podiumin popullor”.
Bardhosh Gaçe- Studiues: “Polifonia e këngës labe është një enciklopedi e jetës njerëzore të toskërisë e labërisë. Ajo ka folur në shekuj me tinguj e muzikë…. “
Daut Gumeni, poet e këngëtar: “Është harmonia mjeshtërore që nuk gjendet në asnjë muzikë tjetër të botës. Kënga labe e ndihmon dhe zbut dhimbjen. Këngës labe gjithashtu nuk i prishet punë nga shiu….
Kënga Labe aq krenuar, një fjalë polifonike thotë: “Jepi yllit bukuri!”. E njerëzit do të këndojnë me forcë:
- Vite e vite do të kalojnë
Polifoninë nuk do ta harrojnë!...”
Piro Lutaj: Lindur e rritur në Bylis thotë i emocionuar se festivalet e këngës polifonike janë momente hyjnore e ne do ti mbështesim ato me forcën e shpirtit…
Neritan Ceka, studiues e deputet: “Polifonia është shumë zërash. Ajo ka një tipologji që duhet ruajtur e trashëguar me kujdes. Tekstet e reja me termin isopolifoni nuk kanë forcën e vargut origjinal të polifonisë e janë një deformim artistik i ndjeshëm në emër të modernizimit… “
Bujar Leskaj, ish-ministër i Kulturës: “Krahina e Labërisë është patriote. Punon e këndon me zemër e me shpirt deri në Bylisin e lashtë Shqiptar ku jehon tashmë tradicionale polifonia Shqiptare…..
Me fjalë të ngrohta e miqësore e mbyll aktivitetin Ermir Dizdari, udhëheqës artistik i Festivalit të Polifonisë Bylys duke thënë : “Kënga është vlera, ne jemi zemra e këngës…”
a.zh/n.e/NOA