Shkup, 3 nëntor, NOA - Përmendoret e tre personaliteteve historike shqiptare do të vendosen në lokacione të papërshtatshme dhe jo ekspozuese në sheshin e Shkupit në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.
Sipas konkursit të shpallur nga komuna Qendër për punimin e projekteve ideore për ngritjen e tre përmendoreve: Josif Bagerit, Nexhati Agollit dhe Pjetër Bogdanit, asnjë nga këto përmendore nuk do të vendoset në pjesën qendrore të sheshit “Maqedonia”, aty ku janë të vendosura përmendoret tanimë të personaliteteve historike maqedonase.
Përmendorja e Pjetër Bogdanit, njërit nga autorët e letërsisë së vjetër shqiptare do të vendoset në parkun përballë Parlamentit të Maqedonisë, përmendorja e Nexhat Agollit në udhëkryqin lidhës me shëtitoren “13 Nëntori” dhe sheshin “Maqedonia” si dhe përmendorja e Josif Bagerit në pjesën perëndimore të teatrit të vjetër të Shkupit në drejtim të bregut të lumit Vardar, apo në lokacionin përballë ish-stacionit të autobusëve në Shkup.
Në konkursin e shpallur sot në shtypin vendor nga komuna Qendër e Shkupit, bëhet thirrje që autorët e interesuar deri në fund të muajit të dorëzojnë projektet e tyre ideore për këto përmendore.
NOA-INA