English

Prokuroria flet për kapjen e 10 kg kokainë me vlerë 1 milion euro dhe detajet e hetimi

Tiranë, 2 Nëntor 2010 NOA - Prokuroria për Krime të Rënda tha sot se në bashkëpunim me Drejtorinë kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Degën e Doganës Durrës, realizuan fazën përmbyllëse të një hetimi, i cili u finalizua me arrestimin në flagrancë të krimit të dy personave që synonin të importonin në Shqipëri një sasi prej rreth 8 kg kokainë, me një vlerë tregu të brendshëm prej rreth 500.000 euro dhe në tregun e jashtëm mbi një milion euro.

Hetimet lidhur me këtë procedim kanë filluar një muaj më parë, pas komunikimit mes autoriteteve gjyqësore të Holandës dhe Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat në bazë të hetimeve të kryera prej tyre kishin identifikuar në portin e Roterdamit, një ngarkesë prej 8 kg kokainë, të fshehur në paletat e një ngarkese me thasë orizi, nisur nga qyteti Santa Cruz i Bolivisë me destinacion portin e Durrësit.

Gjatë periudhës së tranzitimit të ngarkesës nga Roterdami në La Valeta (Maltë) dhe deri në mbërritjen në Durrës, u mbajtën komunikime të vazhdueshme dhe këmbim i frytshëm informacioni mes autoriteteve holandeze, malteze dhe Zyrës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me autoritetet holandeze, autorizoi lejimin e metodës së posaçme të dorëzimit të kontrolluar, në mbështetje të Protokollit të dytë shtesë të Konventës së Këshillit të Evropës “Për ndihmën e ndërsjellë juridike në fushën penale”.

Strukturat antidrogë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimin doganor, në kontakt të vazhdueshëm dhe efikas me Prokurorinë, realizuan përmbylljen me sukses të këtij hetimi.

Departamenti kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda procedoi me organizimin e operacionit, koduar “Kontenieri Latin”, që u shoqërua me përdorimin e suksesshëm të metodave të posaçme të hetimeve që parashikon legjislacioni në fuqi.

U arrestua në flagrancë të krimit të trafikimit të narkotikëve, i kryer në bashkëpunim,

Ergys Salku, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Gjithashtu, u urdhërua ndalimi i menjëhershëm i 37-vjeçarit Eduard Shaban Pelushi, lindur dhe banues në Tiranë.

Ky hetim është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar dhe të koordinimit shumë të mirë të strukturave ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe sepse është një ndër hetimet më të rëndësishme e me sasinë më të madhe të kokainës së sekuestruar me destinacion territorin e Republikës së Shqipërisë.

e.r/NOA

KOMENTE