English

Topi-Lidington: Britania, na ka ndihmuar për integrimin

Londër, 3 nëntor, NOA - Mbretëria e Bashkuar është për Shqipërinë një vend mik dhe një aleate e fuqishme në plotësimin e aspiratave integruese të popullit shqiptar.

Kështu u shpreh presidenti i Republikës, Bamir Topi sot në një takim me ministrin e Punëve të Jashtme për Evropën Juglindore, Dejvid Lidington.

Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve si dhe për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.

Gjithashtu, presidenti theksoi se si një ndër partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë, Anglia ka dhënë për Shqipërinë një kontribut mjaft të madh për anëtarësimin e vendit me të drejta të plota në NATO.

Në vijim të bisedës, Topi u ndal në çështjet e bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së intensitetit të këtyre marrëdhënieve mes fqinjëve, duke nxitur dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok e rajonal.

Pasi vuri në dukje rëndësinë e integrimit të vendeve të rajonit ballkanik në Bashkimin Evropian si një garanci për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të tyre dhe më gjerë, Topi vlerësoi lart angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e zhvillimeve demokratike në këtë vend, si dhe kontributin për miratimin e rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm për Evropën, Dejvid Lidington vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite të Presidentit Topi në Mbretërinë e Bashkuar dhe shprehu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe institucioneve të saj për përmbushjen e suksesshme të aspiratave integruese të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane.

Gjithashtu, Lidington vlerësoi kontributin e forcave ushtarake shqiptare në Afganistan si dhe rolin konstruktiv të vendit tonë në rajonin e Ballkanit.

n.e/NOA

KOMENTE