Londër, 3 nëntor, NOA - Bashkëpunimi në të gjitha nivelet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar paraqitet i konsoliduar dhe i karakterizuar nga vullneti dypalësh drejt zgjerimit dhe forcimit të mëtejshëm të tij, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë janë të shkëlqyera dhe tradicionale.
Një fakt i tillë u theksua gjatë takimit që presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot në Londër me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kameron, në kuadër të vizitës së punës që ai po zhvillon në Mbretërinë e Bashkuar.
Topi vuri në dukje disa prej arritjeve të politikës sonë të jashtme, duke nënvizuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe në miratimin nga ana e Parlamentit Evropian të Raportit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
“Kjo është një ngjarje e madhe, një hap tepër i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe realizimin e një aspirate madhore të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u takon merita për këtë, ashtu si dhe politikës, institucioneve shqiptare, por edhe të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim”, - u shpreh presidenti Topi.
Ndërsa kryeministri britanik Dejvid Kameron pasi theksoi rëndësinë e vizitës së kryetarit të shtetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të presidentit Topi përsa i përket konsolidimit të shteti ligjor, të rritjes së paanshmërisë dhe pavarësisë së sistemit ligjor në Shqipëri si dhe kontributin e tij personal e institucional në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Gjithashtu, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe kontributin tonë atje në kuadër të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.
n.e/NOA