Tiranë, 3 Nëntor 2010 NOA – Nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm në Shqipëri, tani e tutje, mund ta marrin diplomën vetëm nëse kanë dhënë katër provime dhe jo dy si më parë.
Ky është vendimi që u shpall sot nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të rregullt.
Sipas VKM që erdhi me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, arsimi i mesëm quhet i përfunduar kur nxënësi arrin rezultate kaluese në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.
Kurse sanksionohet se në përfundim të provimeve të detyruara dhe të atyre me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nxënësi pajiset me Diplomë të Maturës Shtetërore.
“Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore zhvillohen në përfundim të vitit shkollor në një sesion të vetëm”, - thuhet më tej në vendimin, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Në këtë mënyrë, ndryshon skema e marrjes së diplomës së arsimit parauniversitar. Deri dje, një nxënës mund të merrte diplomën vetëm duke dhënë dy provimet me zgjedhje, përkatësisht Matematika dhe Letërsia kurse dy provimet e tjera, ato me zgjedhje, ishin fakultative për diplomën e shkollës së mesme, por të domosdoshme për t’u pranuar në universitete.
Vendimi detyron të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm që të japin dy provimet me zgjedhje edhe kur ata janë në shkolla profesionale si për arte, sporte etj., që deri dje i nënshtroheshin edhe konkursit.
e.r/NOA
Lista perfundimtare e studenteve fitues 2010-2011