English

Vetëvendosje: Rënia e qeverisë kishte filluar nga themelimi

Prishtinë, 3 nëntor, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot një konferencë për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit në vend, gjatë së cilës, drejtuesi i saj Albin Kurti, u shpreh se kjo lëvizje çdo ditë e më tepër po forcohet dhe organizohet dhe vetëm organizimi i fuqishëm e bën ndryshimin.

“Dje Kosova u bë edhe me ish-qeveri, sikurse ishte edhe me ish-president. Kjo nuk ndodhi për shkak të interesave nacionale, por për shkak të interesave të ngushta partiake. Mirëpo rënia e djeshme e qeverisë ishte veç formale, sepse rënia ka filluar që nga themelimi i saj. Ajo rënie ka filluar nga momenti kur kjo qeveri na i ka kontrabanduar Flamurin e Kushtetutën, kur festonte në Prishtinë e neve na digjeshin pikat kufitare me Serbinë, kur pranoi planin 6 pikësh, protokollin me Serbinë, filloi zbatimin e ndarjes së Kosovës përmes decentralizimit etnik dhe filloi shpronësimin e Kosovës me anë të privatizimit së pronës publike”, tha në fjalën e tij Albin Kurti.

Duke shtuar se kjo ish-qeveri nuk i bëri nder as popullit as shtetit, sepse ishte me sovranitet të cunguar dhe e korruptuar moralisht e financiarisht.

“Kjo ish-qeveri e kishte humbur legjitimitetin, sepse ishte qeveri e votuar nga shumica e pakicës dhe krejt çka ndodhi dje ishte se deputetët ja morën edhe të drejtën e ngushtë ligjore për të qeverisur, duke e ndihmuar kështu Thaçin, për t’ia ndalur këtu theqafjen e thellë në të cilën ishte nisur”, përfundoi Albin Kurti.

n.e/NOA

KOMENTE