Panairi zhvillohet më 11-15 nëntor 2010 në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia e çeljes: Më 11 nëntor ora 18.00, nga: Kim Mehmeti-Sabri Hamiti-Aurel Plasari
Tiranë, 4 Nëntor 2010 NOA - Viti 2010 shënon mbajtjen e edicionit të 13-të të Panairit Mbarëkombëtar të Librit “Tirana 2010” dhe për të tretin vit radhazi ai sponsorizohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA.
Panairi do të jetë i hapur në datat 11-15 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe vjen me moton “Të ndriçojmë mendjet e reja”.
Çdo ditë ju do të gjeni në faqen e posaçme të panairit të librit që është hapur nga NOA, të rejat më të fundit mbi eventin, të ftuarit, intervista, etj.
Ceremonia e çeljes së edicionit të 13-të të Panairit të Librit “Tirana 2010” do të mbahet më 11 nëntor, ora 18.00 në Pallatin e Kongreseve prej 3 personaliteteve të kulturës mbarë shqiptare, Kim Mehmeti, Sabri Hamiti dhe Aurel Plasari.
Pjesëmarrës në këtë panair do jenë mesë 80 subjekte botuese shqiptare jo vetëm në Shqipëri por edhe Kosovë e Maqedoni të cilat përpos titujve të botuar ndër vite do sjellin edhe librat e rinj të cilët këtë vit duhet theksuar se janë më të paktë në numër se vitet e shkuara pasi kriza botërore ka prekur edhe botuesit shqiptarë.
Përgjatë ditëve të panairit do të mbahen disa forume në të cilat do diskutohet nga njerëzit e librit në Shqipëri dhe jo vetëm për një sërë problemesh të librit në shqip.
Gjatë ditëve të panairit do të organizohet edhe një takim i posaçëm mes Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, botuesve shqiptarë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ‘Traducci’ dhe presidentit të Panairit të Lajpcigut, Z. Oliver Zilli.
Gjithashtu s’do të mungojnë takimet me shkrimtarët e ftuar nga botuesit në stendat e panairit të librit ‘Tirana 2010’ dhe promovimet do jenë të shumta.
e.r/NOA