English

Baronesha Hejman Topit: Shqipëria, të anëtarësohet në BE

Londër, 4 nëntor, NOA - Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u prit sot nga kryetarja e Dhomës së Lordëve, baronesha Helen Hejman.

Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për këtë takim pak muaj pas takimit të tyre të fundit të zhvilluar gjatë vizitës së baroneshës Hejman në Shqipëri në shtator të këtij viti, si dhe vunë në dukje se vizita dhe takime të një niveli kaq të lartë politik dhe institucional janë një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen mjaft të vlefshme dhe të vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për Shqipërinë në procesin e integrimit të plotë euroatlantik të vendit, duke nënvizuar faktin se shteti dhe populli shqiptar, si gjithnjë, në përballjen me sfidat më madhore për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, kanë pranë një mik dhe aleat të fuqishëm siç është Mbretëria e Bashkuar.

“Për ndihmesën dhe vëmendjen tuaj të treguar përgjatë gjithë këtyre viteve në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor në vend, si dhe për ecurinë progresive të shoqërisë shqiptare, ne ju jemi mirënjohës”, - vuri në dukje presidenti Topi.

Kryetarja e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Helen Hejman nënvizoi rëndësinë e vizitës së presidentit Topi për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë me dy vendeve tona dhe e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, i cili duhet të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e familjes së madhe evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE