Durrës, 4 Nëntor, NOA – Policia e Durrësit ka arritur të bllokojë sot sasinë më të madhe të dollarëve të falsifikuar, të kapur ndonjëherë në vendin tonë.
Bëhet fjalë për plot 101 milionë dollarë të falsifikuar të cilët do të përdoreshin për transaksione bankare dhe siç raportojnë burimet policore të qytetit bregdetar, ato dyshohet se vinin nga Maqedonia, të destinuara në prerje çeqesh 1-milionë dollarëshe, plot 101 të tilla.
Operacioni për kapjen e tyre mbante emrin “Çeku një milion” dhe nën organizimin e tij janë arrestuar personat Edmond Tenali, 41 vjeç dhe Nesti Rakaj, 34 vjeç nga qyteti i Shkodrës; si edhe tre të tjerë nga Maqedonia me emrat Zaim Bajrami 33 vjeç, Isli Bajramaj 47 vjeç dhe Nazim Veneli 47 vjeç.
Gjithashtu policia e Durrësit ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy makina që të arrestuarit i përdornin për të udhëtuar ku njëra është me targa SH 3663 E dhe tjetra me targa të huaja, përkatësisht me targat SH 3663 E dhe CE380 CZ, por edhe 1 laptop e 6 aparate telefoni celular.
Po punohet për evidentimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, ndërsa materialet proceduriale për veprën penale te falsifikimit te monedhave iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA