English

Deputetët e PE: Gjykata e Lartë rol të rëndësishëm për integrimin në BE

Tiranë, 4 nëntor, NOA – Delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga Eduard Kukan, i cili ka mbërritur në Tiranë, katër ditë para marrjes së vendimit për heqjen e vizave nga këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së, më 8 nëntor, u takua sot edhe me Kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj dhe anëtarë të trupës gjyqësore.

Gjatë zoti Kukan theksoi se detyra e kryetares së Gjykatës së Lartë në një vend, i cili aspiron të bëhet pjesë e BE-së është tepër e rëndësishme dhe mbi të gjitha me një përgjegjësi të lartë për të gjithë kombin shqiptar.

“Ne e vlerësojmë progresin e bërë deri tani, ka vazhduar më tej Kukan, në disa drejtime si reformat në sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsionit apo liria e medias, por ka ende hapa të mëtejshëm, të cilat duhen ndërrmarë gjatë momenteve, që po kalon vendi juaj”, theksoi Kukan.

Ai dhe anëtarë të tjerë të delegacionit shprehën interesimin e tyre mbi funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha mbi mjetet e përdoruara nga gjyqësori shqiptar dhe Gjykata e Lartë për të ruajtur pavarësinë e këtij pushtetit dhe ruajtjen e prestigjit dhe dinjitetit që i takon.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj gjatë fjalës së saj falenderoi eurodeputetët për mbështetjen që PE i ka dhënë vendit tonë, në aspiratën e tij të vazhdueshme për tu bërë pjesë e familjes së madhe Europiane, dëshmi e së cilës ishte edhe vendimi i Parlamentit Europian pro liberalizimit të vizave.

“Ky është një vendim historik, - u shpreh, zonja beçaj e cila theksoi se ai vjen si shpërblim për përpjekjet e vazhdueshme që shteti shqiptar, nëpërmjet institucioneve të tij, ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve, në drejtim të arritjes së standardeve europiane. “Në 20 vite demokraci janë bërë ndryshime të shumta në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe reformat në sistemin gjyqësor, tha zonja Beçaj.

Sipas Kryetares së Gjykatës së Lartë, megjithë punën e bërë, përsëri mbetet ende shumë për të bërë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për detyrat e mëdha që kemi përpara, për reformimin e mëtejshëm në sistemin e drejtësisë, pavarësisë, për drejtësi bashkëkohore që të udhëhiqet nga ligji, profesionalizmin dhe ndershmërinë në kryerjen e kësaj detyre sublime, tha kryetarja e Gjykatës së Lartë në takimin me eurodeputetët.

Në kuadër të vazhdimit të reformave, trupa gjyqësore e Gjykatës se Larte i ka propozuar Qeverisë, Parlamentit të mbështesin reformën në Gjykatën e Lartë.

mit/NOA
KOMENTE