English

Gratë mblidhen së bashku, i dërgojnë një kërkesë kryeministrit Berisha

Tiranë, 4 Nëntor 2010 NOA - Rrjeti i Grave, "Barazi në Vendimmarrje", një rrjet kombëtar ku përfaqësohen gra aktive nga partitë politike, shoqëria civile dhe media nga e gjithë Shqipëria, parashtron një kërkesë publike drejtuar Kryeministrit të Republikës, prof.dr. Sali Berisha.

Duke falënderuar Kryeministrin për iniciativën e tij lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me qëllim që kjo reformë të jetë sa më gjithëpërfshirëse, Rrjeti "Barazi në Vendimmarrje" si një rrjet që ka si synim të drejtpërdrejtë përmirësimin e përfaqësimit gjinor në politikë dhe vendimmarrje shpreh dëshirën dhe angazhimin e vet serioz, për të qenë pjesë e tryezës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Rrjeti "Barazi në Vendimmarrje", deklaron se ka si synim të përmirësojë rekomandimet e Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR 2009, përkatësisht Rekomandimin nr. 30 “Për Gruan”.

“Në këtë kuadër, ne jemi të mendimit se për zbatimin e kuotës gjinore në zgjedhje një rol mjaft të rëndësishëm paraqet Kodi Zgjedhor, i cili parashikon rregulla për përmbushjen e saj, si në organet e zgjedhura qendrore ashtu dhe në ato vendore”, - thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”.

Kuota gjinore në organet e zgjedhura kërkon përfaqësim të barabartë gjinor (mbi 30% nga secila gjini), jo vetëm në anëtarësinë e Kuvendit dhe të organeve të zgjedhura të njësive të qeverisjes vendore, por edhe në organet e administrimit zgjedhor. (neni 15 i Ligjit “Për barazinë gjinore në Shoqëri”).

Rrjeti "Barazi në Vendimmarrje", shpreh vullnetin e vet për të qenë pjesë e Tryezës për Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi për ne standardi i barazisë gjinore nënkupton pjesëmarrjen në kushte të barabarta brenda një kuadri social dhe politik të një reforme dhe bashkëpunimi që duhet të ekzistojë mes pushtetit dhe organizatave jo-qeveritare.

Duke shpresuar që kërkesa jonë të merret parasysh ngelim me shpresën që rekomandimet tona të përfshihen në axhendën për diskutim të tryezës për reformën zgjedhore.

e.r/NOA

KOMENTE