Shkup, 4 nëntor, NOA - Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE), përmes një komunikate për shtyp thekson se, Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e bëra dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara në Kosovë, por edhe në vendet tjera të rajonit.
“Tendencat për të individualizuar krimin dhe terrorin e popullit serb mbi popullatën civile në Kosovë, por edhe vende tjera të rajonit nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetin në rajon.
Serbia nëse kërkon një fillim të ri, paqe dhe stabilitet në rajon, duhet të pranoj fajin dhe të kompensoj dëmet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës”, theksohet në komunikatën e OBRIE.
Vetëm atëherë, sipas kësaj organizate do të ishte e arsyeshme të fillojë dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për çështjet teknike dhe assesi për çështjen e statusit.
Kjo organizatë thekson se, Tribunali i Hagës nuk është treguar kompetentë dhe fer në procesin e gjykimit dhe dënimit të kriminelëve të luftës.
“Gjatë viteve të fundit, Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar vetëm disa individë, ndërsa një numër i madh i kriminelëve jetojnë të lirë dhe i gjithë populli serb që përkrahi regjimin barbar të Milosheviçit vazhdon të mos pranoj realitetin e ri të krijuar në rajon, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas OBRIE, Tribunali i Hagës duhet ti ndërpres njëherë e përgjithmonë proceset gjyqësore ndaj viktimave të luftës, njerëzve të cilët luftuan për të mbrojtur jetërat e civilëve nga regjimi barbarë i Serbisë.
NOA-INA