Tiranë, 4 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Pas debateve mes opozitës dhe mazhorancës gjatë diskutimit të lirë në kuvend, ku opozita akuzoi kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli për shkeljen e rregullores, duke hequr nga rendi i ditës votimin e dekreteve të Presidentit Topi mbi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, arsye për të cilën opozita do të qëndronte gjatë votimit të sotëm, ka bërë që opozita të braktisë seancën e kuvendit pas mbylljes së diskutimeve të lira pikërisht ndërsa nisi votimi i projektligjeve që ishin caktuar në kalendarin e ditës.
Më herët eksponentë të Partisë Socialiste, si deputetët Namik Dokle, Erion Braçe si dhe kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi kishin akuzuar kryeparlamentaren Topalli se ka shkelur rregulloren duke hequr nga rendi i ditës votimin e dekreteve të Presidentit, për votimin e të cilave afati i fundit kushtetues ishte pikërisht kjo e enjte sipas Ruçit.
Më tej Ruçi kërkoi që kalendari i ditës të njoftohet katër ditë përpara dhe jo me vonesë, sikundër e kërkon rregullorja e Kuvendit pasi në këtë mënyrë deputetët kanë kohë ta shqyrtojnë atë.Kreu i Grupit Parlamentar Socialist kërkoi gjithashtu edhe paraqitjen e buxhetit të vitit 2011 nga qeveria, pasi ai duhej të ishte paraqitur që në 1 nëntor për t’u diskutuar në parlament.
Por, pasi kërkesa për kthimin në rend të ditës të dekreteve të Presidentit nuk u plotësua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Popalli pasi buxheti ende nuk është paraqitur në komisionin parlamentar përkatës, opozita me nisjen e votimit të projektligjeve ka bojkotuar sallën e kuvendit sikundër kishte paralajmëruar një ditë më parë, se do të bojkotojë miratimin e çdo reforme të qeverisë, pa u vlerësuar oferta e PS-së dhe çështjet e tjera të parashtruara nga opozita për shqyrtim.
Në këto momente kuvendi pa praninë e opozitës ka miratuar Ligjin për ankandin publik.
i.t/NOA