English

Për ëndrrën e çdo shqiptari

Pas një viti sfidash, vështirësish, pengesash dhe standardesh që duhej të arriheshin ne të gjithë jemi krenarë sepse sot Shqipëria i ka plotësuar të gjitha standardet për heqjen e vizave, në mënyrë që edhe ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të komunikoni dhe shkëmbeni eksperiencat dhe idetë tuaja me të gjithë të rinjtë europianë pa pengesa dhe pa barriera, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi ta prekin Europën jo me qëllimin për të qëndruar atje, por me dëshirën dhe frymëzimin për tu kthyer dhe për të ndërtuar edhe atë pjesë që na ka mbetur të Shqipërisë të plotë europiane, të Shqipërisë si anëtare e barabartë e familjes evropiane

Nga Ilir Meta

Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Kemi shumë arsye për të qenë së bashku, si asnjëherë tjetër. Kemi shumë arsye për të qenë krenarë dhe unë mund t’ju them me bindje të plotë se në këto 20 vite Lëvizje Rinore për Integrim sot përfaqëson organizatën më të fuqishme rinore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. LRI përfaqëson një bashkim të jashtëzakonshëm të rejash dhe të rinjsh, në emër të së ardhmes. Përfaqëson një solidaritet të paparë ndonjëherë, pikërisht në emër të një të ardhmeje të përbashkët për një Shqipëri akoma më të mirë. Përfaqëson energjinë më pozitive në Shqipëri për të ecur në rrugën e progresit, për të ecur në rrugën e integrimit, në rrugën që lufton varfërinë ende për shumë qytetarë dhe të rinj anembanë Shqipërisë, në mënyrë që të kemi një Shqipëri më të bashkuar, një Shqipëri më sociale, një Shqipëri më humane, një Shqipëri të vërtetë europiane. Kjo është sfida jonë e madhe. Kjo është edhe sfida e Lëvizjes Rinore për Integrim. Në 20 vite vendi ka arritur shumë, pot ë kemi parasysh se ç’përfaqësonte Shqipëria e vitit 1990 dhe ç’përfaqësonte Shqipëria e kloneve, ku shqiptarët vriteshin për të mos kaluar kufirin, se ç’përfaqësonte Shqipëria e tallonëve, se ç’përfaqësonte Shqipëria ku shumica e njerëzve vuanin edhe për gjërat më elementare. Por ne jemi të bindur se e ardhmja që ne duam kërkon jo vetëm një progres të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet, ku ne ende kemi shumë për të bërë, por kërkon edhe një vlerësim, edhe një mirënjohje për të gjitha gjeneratat që punuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë, që nga ata që luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga okupatori, ata që punuan për të tharë moçalet dhe kënetat e Shqipërisë, ata që punuan për të ndërtuar ato hidrocentrale që ne kemi sot, për të ndërtuar ato shkolla dhe universitete që ne kemi sot, gjithnjë duke integruar vlerat e gjenerateve, eksperiencën e gjeneratave të mëparshme me energjinë, me motivim dhe me ambicie plotësisht legjitime të gjeneratës më të re.

Gjithnjë e më shumë shqiptarët bashkohen me ne sepse ata shohin te Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim forcat me energji pozitive, forca të cilat janë dedikuar ndaj një procesi historik për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve e të gjithë të rinjve, që është integrimi europian i Shqipërisë.

Pas një viti sfidash, vështirësish, pengesash dhe standardesh që duhej të arriheshin ne të gjithë jemi krenarë sepse sot Shqipëria i ka plotësuar të gjitha standardet për heqjen e vizave, në mënyrë që edhe ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të komunikoni dhe shkëmbeni eksperiencat dhe idetë tuaja me të gjithë të rinjtë europianë pa pengesa dhe pa barriera, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi ta prekin Europën jo me qëllimin për të qëndruar atje, por me dëshirën dhe frymëzimin për tu kthyer dhe për të ndërtuar edhe atë pjesë që na ka mbetur të Shqipërisë të plotë europiane, të Shqipërisë si anëtare e barabartë e familjes europiane. Kjo mund të arrihet vetëm me energji pozitive, kjo mund të arrihet vetëm me kontrbute konkrete të secilit, ashtu sikurse kontributoni edhe ju çdo ditë. Kjo kërkon një bashkëpunim të të gjitha forcave rinore dhe progresiste të shoqërisë. Kjo kërkon një aleancë të jashtëzakonshme me të gjithë të rinjtë që duan progresin anembanë Shqipërisë.

Ndaj është shumë e rëndësishme që kjo atmosferë, këto ide dhe ky vrull këtu në pallatin e Kongreseve të vazhdojë në çdo fshat të Shqipërisë, që kudo të ketë LRI, që kudo të ketë shpresë dhe besim tek e ardhmja, që kudo të rinjtë e Shqipërisë, anembanë qyteteve dhe fshatrave tona të bëhen misionarët e vërtetë të integrimit europianë, të bëhen promotorët e zhvillimit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit.

Ndaj kemi nevojë për një Lëvizje Rinore për Integrim me energji të pashtershme ashtu sikurse ju jeni sot këtu në Pallatin e Kongreseve. Kemi nevojë për të shumëfishuar Lëvizjen Rinore për Integrim, fuqitë e saj, idetë e saj, për një Lëvizje Rinore për Integrim, e cila është plotësisht e aftë të luajë një rol vendimtar, në mënyrë që Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme vendore të arrijë një rezultat spektakolar, në dobi të të gjithë komuniteteve anembanë Shqipërisë. Në mënyrë që të kemi një forcë politike, sikurse e theksoi edhe miku im, deputeti Tavo, që është besnike ndaj njerëzve, që është besnike ndaj idealeve dhe shqetësimeve të tyre, që është besnike ndaj ëndrrës së çdo shqiptari për një Shqipëri të vërtetë europiane.

* Fjala e mbajtur në Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim

KOMENTE