English

Plagosën me pistoletë të riun në një lokal, arrestohen dy autorët

Shkodër, 4 nëntor, NOA – Forcat e policisë së Shkodrës kanë arrestuar në flagrancë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm 31-vjeçarin Duel Brajoviç dhe 34-vjeçarin Sokol Dergjini; që të dy banues në lagjen “Naim Gjylbegu” të këtij qyteti.

Siç raportohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tyre u bë për arsye se të lartpërmendurit në orët e djeshme të mbrëmjes, në një lokal privat, në afërsi të shkollës “Oso Kuka”, kanë plagosur me pistoletë 26-vjeçarin Eduard D., lindur në Tropojë dhe banues në fshatin Grudë e Re të Shkodrës.

Mësohet se ky i fundit, pas mjekimeve të marra në spitalin rajonal të Shkodrës, ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Nga veprimet hetimore të kryera nga ana e policisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, mes të dëmtuarit dhe dy autorëve të krimit.

Në lidhje me ngjarjen në fjalë, u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të dy personave të arrestuar, iu kaluan prokurorisë së Shkodrës për veprën penale të “Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim”, si edhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

n.e/NOA

KOMENTE