English

Poni: Listat e zgjedhësve, nuk i shpall ministria e Brendshme

Tiranë, 4 nëntor, NOA – “Sipas legjislacionit shqiptar dhe sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme nr: 365 për procedurat e hartimit të listave, nuk është Ministria e Brendshme ajo që i shpall listat e zgjedhësve”.

Kështu ka reaguar zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni lidhur me një deklaratë që ka bërë sot kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 1 të Tiranës, Lindita Nikolli.

“Dëshiroj të sqaroj se kistat e zgjedhësve shpallen në nivel lokal, bashkie, komune, njësie bashkiake. Nëse do të kishte vonesa ato do të ishin për shkak të punës jo të mirë të ndonjë kryetari”, tha ai.

Duke vijuar se kryetarët e njësive vendore duhet të firmosin dhe të shpallin listat e zgjedhësve dhe pastaj t’i dërgojnë në Ministrinë e Brendshme. Pjesa dërrmuese e ka kryer këtë detyrë.

Ministria e Brendshme do të publikojë në veb-in e saj listën paraprake të zgjedhësve brenda dy ditëve pas grumbullimit të listave të ardhura nga të gjitha njësitë vendore.

Ministria e Brendshme është duke përpunuar informacionin e ardhur nga të gjithë njësitë vendore.

“Nuk do të doja të vendosja sot cilësimet e caktuara se për cilën arsye Nikolli e bën këtë, se ministria e Brendshme u qëndron disa parimeve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor për të cilat ne jemi jashtë mase të dedikuar për zbatimin korrekt të ligjit dhe faktit se listat duhet të përgatiten nga krerët e njësive vendore, përpiqemi ta bëjmë këtë punë në të gjithë territorin dhe të mos nxjerrim konkluzione që nuk i shërbejnë punës për të cilën Nikolli ka bërë një deklaratë të nxituar. Ajo ka folur qartazi si një anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste. Do të doja të fliste si kryetare e njësisë bashkiake përgjegjëse për listat”, përfundoi Poni lidhur me këtë çështje.

n.e/NOA

KOMENTE