English

PS: S’janë shpallur listat e zgjedhësve, afati ligjor ishte 26 tetori

Tiranë, 4 nëntor, NOA – Ndërsa zgjedhjet vendore të 8 majit janë shtatë muaj larg, nënkryetarja e Minibashkisë nr.1 në kryeqytet, njëherësh anëtare e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolla ka deklaruar sot në një konferencë për shtyp se ende nuk janë shpallur listat paraprake të zgjedhësve, të cilat sipas udhëzimit të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha kishin si afat të paraqitjes së tyre datën 26 tetor, pra dhjetë ditë të shkuara.

Duke fajësuar për vonesën e shpalljes së listës paraprive Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile që punon nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, Lindita Nikolli theksoi se “Partia Socialiste ka arsye të dyshojë se këto vonesa janë të qëllimshme dhe synojnë manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të 8 majit 2011".

“Në shkelje të plotë të të gjitha afateve ligjore, Ministria e Brendshme nuk ka përpunuar informacionin për ndarjen e re të qendrave të votimit edhe pse pushteti vendor ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta brenda afatit kohor të 20 Tetorit 2010”, tha Nikolli.

Ajo iu referua për këtë udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili thotë se listat paraprake të zgjedhësve duhet të ishin shpallur që në datën 26 tetor 2010, dhe sikundër kuptohet dita e sotme shënon shkelje të afateve kohore me 10 ditë.

Nikolli sqaroi se “Ky proces totalisht jo transparent nga drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile, nën varësinë e ministrit Lulzim Basha, ua bën të zgjedhurve vendorë të pamundur të kenë informacion të saktë për numrin e zgjedhësve dhe lëvizjet e tyre, çka krijon terrenin e favorshëm për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme, njësoj si zgjedhjet e shkuara”.

mit/NOA
KOMENTE