Thaçi kishte vetëm dy halle. Si të binte qeveria në mënyrë që të provokoheshin zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme dhe, njëkohësisht, të mos fajësohej vetë ai për tërë këtë. Meqë s’jepte dot dorëheqje, ai përdori një parti formalisht opozitare që ta propozojë këtë mocion mosbesimi. Skenari i keq dhe aktorët e këqinj tashmë ishin përcaktuar. Rëndësi kishte që regjia e këtij teatri të keq të ishte e mirë.
Nga Albin Kurti*
Poshtë qeveria, rroftë qeveria. Apo, ndoshta, rroftë qeveria, poshtë qeveria? Këtë do ta marrim vesh pas zgjedhjeve të ardhshme. Mirëpo, synimi i seancës së Kuvendit të Kosovës të martën që shkoi ishte: poshtë qeveria në mënyrë që të rrojë qeveria.
Teatër i keq, gjithsesi. Mbase nuk kanë faj qytetarët e Kosovës që shikojnë telenovela latino-amerikane. Ato janë megjithatë më të mira sesa ky teatër i keq.
Në vend se ta përdor një tjetër parti si mashë, ish kryeministri Thaçi ka mundur të japë dorëheqje. Asisoj, shumë më shpejt e kollaj do ta kishte arritur efektin e njëjtë – rënien e qeverisë. Mirëpo, jo. Kryeministri nuk kishte dëshirë të jepte dorëheqje. Ai është mësuar ta heqë e vërë dikë tjetër, por edhe të hiqet e vihet vetë ai nga dikush tjetër. Dorëheqja do të ishte një akt moral dhe sovran. E, nuk ka asgjë më larg ish kryeministrit Thaçi sesa të qenit i moralshëm e sovran.
Thaçi kishte vetëm dy halle. Si të binte qeveria në mënyrë që të provokoheshin zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme dhe, njëkohësisht, të mos fajësohej vetë ai për tërë këtë. Meqë s’jepte dot dorëheqje, ai përdori një parti formalisht opozitare që ta propozojë këtë mocion mosbesimi. Skenari i keq dhe aktorët e këqinj tashmë ishin përcaktuar. Rëndësi kishte që regjia e këtij teatri të keq të ishte e mirë.
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, në fakt, ishte mocion i besimit ndaj qeverisë. Ata që i besuan Thaçit që do t’i marrë në qeverinë e ardhshme, mu ata u shprehën mosbesues ndaj qeverisë së tij të deritanishme. Ky mocion nuk ishte për të pasur një qeveri tjetër, por për të pasur PDK-ja një tjetër partner koalicioni në qeveri. Ata që e inicuan dhe votuan mosbesimin ndaj qeverisë, në të vërtet, po i besonin asaj si askush tjetër dhe si asnjëherë tjetër. Nuk ishte qëllimi që të zëvendësohej qeveria por që të zëvendësohej partneri qeverisës i PDK-së. Është e qartë që PDK-ja deshi që të binte kjo qeveri pasi që u kishte premtuar atyre që do ta rrëzonin se do t’i merrte në qeverisjen e ardhshme pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ata që votuan kundër qeverisë janë të njëjtit që shpresojnë se do ta votojnë qeverinë e ardhshme. Mirëpo, ata që i ndihmuan Thaçit duket që kanë harruar që ai i ka lënë në baltë edhe kolegët e tij partiakë dhe se afati i përdorimit do t’iu skadojë pas besimit të këtij mosbesimi.
Me varfërinë e papunësinë në rritje, me negociatat e paralajmëruara me Serbinë, me privatizimin e ndërmarrjeve fitimprurëse publike, PDK-ja nuk do të arrinte ta kalonte pragun zgjedhor në vjeshtën e vitit 2011 kur është dashur të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Duke qenë i vetëdijshëm për rritjen e zemërimit të qytetarëve që janë të zhgënjyer si asnjëherë më parë në këto vitet e pasluftës, dhe duke e ditur që është shndërruar në vegël të privatizimit neo-liberal dhe negociatave kronike me Serbinë, Thaçit sigurisht se po i ngutet. Prandaj ish kryeministri Thaçi mundohet të shpëtojë çfarë ende është e mundur të shpëtohet për veten e tij. Shpëtimi i tij dhe i partisë së tij është gjithsesi në llogari të shtetit të Kosovës dhe të popullit të saj. Në Kosovë nuk është Thaçi ai që duhet shpëtuar, por populli i Kosovës. Dhe, ky shpëtim aktualisht e ka kuptimin edhe të shpëtimit të Kosovës prej Hashim Thaçit. Arsyetimet e turbullta të Thaçit janë simptomë e pafajësisë së pamundur të tij.
Pas ish-presidentit (Sejdiu), Kosova u bë edhe me ish kryeministër (Thaçin). Regjimi në fuqi me gjasë u frikësua se mos qytetarët deri në shkurt të vitit të ardhshëm do të mësohen tepër gjatë pa president dhe do të nisin të mendojnë se bën edhe pa të. Tash, i lanë institucionet e shtetit edhe pa kryeministër në mënyrë që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet dhe të ndërpritet përshtatja e qytetarëve me gjendjen e pa-president. Por, në javët në vijim, qytetarët do të nisin të mësohen edhe pa kryeministrin Thaçi sikurse që u mësuan pa presidentin Sejdiu. Porta e ndryshimeve po hapet.
* Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje!”