Para një jave dëgjova Sali Berishën që tha se para 4 vjetësh nuk e dija se sa para do të mblidhnim, prandaj nuk parashikoja parlament të ri. A e dëgjoni o njerëz se kush na qeveris? A mund t’i besohen punët e vendit një njeriu të tillë. Jo vetëm që nuk di çfarë duhet të bëjë, por edhe e tregon me mburrje
Nga Ilir Beqja
Deputet, Partia Socialiste
Që prej ditës së hënë Sali Berisha ka kryer në një shkelje të re të ligjit.
E hëna që kaloi ishte afati i fundit që Sali Berisha të sillte në emër të qeverisë së tij, projektbuxhetin e vitit 2011. Ky është detyrim ligjor.
(Detyrim i ligjit 9936 për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, neni 29).
Ligj që e keni miratuar ju deputetë të mazhorancës.
Por ju nuk keni më asnjë ndjeshmëri për zbatimin e ligjit në Shqipëri.
Shumë prej jush kanë vetëm një mision në këtë sallë.
Të baltosin opozitën e të çojnë dorën kur urdhëron Saliu e bën shenjë Jozefina.
Sali Berisha shkel ligjin për sistemin buxhetor sepse nuk ndjen më asnjë detyrim për të zbatuar ligjet e vendit.
Është e qartë pse e bën një gjë të tillë.
Edhe ai vetë është i vetëdijshëm se është ulur me pa të drejtë në karrigen e kryeministrit. Shqiptarët nuk e votuan në shumicë Sali Berishën.
Ky pushtet i vodhi zgjedhjet.
Prandaj Sali Berisha nuk ndjen detyrim para shqiptarëve sepse e di që nuk e kanë votuar.
Pikërisht pse nuk ndjen asnjë detyrim për shqiptarët, pushteti nuk ndjen detyrim për të zhvilluar ekonominë e vendit,
për të përmirësuar jetesën e familjeve të varfra.
Në 9 muajt e parë të vitit ekonomia vazhdon të vuajë. Qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve është rritur me 3,9 %, ndërsa inflacioni 9 mujor është 3,6 %. A e dini ç’do të thotë kjo? Që, nuk ka rritje ekonomike nuk ka. Përgjegjësi është vetëm një, e ka emrin Sali Berisha.
Në 9 muajt e parë të vitit kredia bankare është rritur më pak se nënçmimi i lekut ndaj euros dhe dollarit. Pra ekonomia nuk kreditohet. Të vetmet që rriten janë kreditë e këqija. Në fund të muajit shtator arritën 13,8 % të portofolit. Vetëm në muajin e fundit janë rritur me 16 milionë dollarë. Përgjegjësi ka vetëm një emër, Sali Berisha.
Në 9 muaj e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve është 10 % më pak se 1 vit më parë. A e dini cfarë do të thotë kjo? Më pak linja prodhimi e për pasojë më pak punësim. Përgjegjësi është vetëm një, e ka emrin Sali Berisha.
Në 9 muajt e parë të vitit investimet publike janë 237 milionë dollarë më pak se vitin e kaluar. Përgjegjësi ka vetëm një emër, Sali Berisha.
· Me qarkullim mallrash e shërbimesh që nuk rriten,
· me kredi bankare që nuk rritet, por rriten vetëm kreditë e këqija
· me më pak makineri e pajisje se vitin e kaluar
· me më pak investime publike se vitin e kaluar
pasojat janë evidente dhe të prekshme për të gjithë.
Para një jave dëgjova Sali Berishën që tha se para 4 vjetësh nuk e dija se sa para do të mblidhnim, prandaj nuk parashikoja parlament të ri. A e dëgjoni o njerëz se kush na qeveris? A mund t’i besohen punët e vendit një njeriu të tillë. Jo vetëm që nuk di çfarë duhet të bëjë, por edhe e tregon me mburrje.
Tallje e madhe me shqiptarët.
Pranon pa iu dridhur qerpiku se nuk është i aftë për punën që paguhet, por nuk e lëshon karrigen.
Pale kur mburret për borxhet që merr.
A keni parë ndonjë tjetër të mburret se çfarë borxhliu është?
Pse kanë një kryeministër të tillë, shqiptarët jetojnë më keq se 1 vit më parë, janë më të papunë se 1 vit më parë.
Pale, pa bëni edhe sikur habiteni kur ju themi se janë 1 milionë të papunë.
Do të lexoni shumë shpejt një dokument të Komisionit Europian që thotë se gjysma e fuqisë punëtorë është joaktive.
E, pra kjo është papunësia.
Po jua përsëris, në Shqipëri janë 1 milionë të papunë.
Me sa dëgjova dje, as palobuxheti që po përgatisni nuk ka asnjë shpresë për shqiptarët e papunë.
Ju i doni shqiptarët e papunë sepse kështu mendoni t’i sundoni.
Javën e ardhshme do të vendoset lëvizja e lirë.
Por a mund të quhet i lirë një njeri që nuk ka punë?
A mund të jetë i lirë një njeri që është i papunë.
Pa punë jo vetëm që nuk jeton e nuk krijon e mban familje.
Pa punë njeriu nuk është as i lirë dhe nuk ka as dinjitet.
Për ne socialistët liria dhe dinjiteti janë themelore për shqiptarin.
Vetëm një politikë e re dhe një shpresë e re mund t’u kthejë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin.
Modeli i ri ekonomik që ne socialistët ofrojmë është i qartë.
Një ekonomi e re e punës, një ekonomi e re që ofron punësim.
Me më shumë punësim ne do të sjellim më shumë zhvillim ekonomik e social për vendin tonë.
Kjo ekonomi e re fillon me largimin e qeverisë. Prandaj edhe protestat janë sot më shumë se kurrë detyrimi ynë opozitar.