Them se PDK do t’i fitojë zgjedhjet pa asnjë vështirësi. LDK do të jetë partia e dytë nëse eliminohet talibanizmi dhe kanibalizmi nga radhët e tyre dhe ringjallet Anton Çeta. Koalicioni i Madh dhe ambicioz parazgjedhor AKR- PD do të faktorizohet shumë nëse e kalon pragun zgjedhor. AAK do të jetë partia e tretë apo e dytë, varësisht nga LDK-ë. LDD do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës vetëm si pjesë e LDK-së apo AAK-së, ndryshe nuk ka forcë ta kafshojë pragun zgjedhor sepse po i kontestohen dhëmbët liderit të saj
Nga Behxhet Sh. Shala
Rrogëtari i dëshmuar dhe Qeveria e rrëzuar:
Nëse dikujt i vdes anëtari i familjes i cili një kohë të gjatë ka lënguar nga një sëmundje e pashërueshme atëherë edhe vdekja pranohet më lehtë sepse në një mënyrë është e pritshme. Familja e atij që pritet të vdes ka kohë që t’i bëjë të gjitha pregatitjet e duhura dhe nuk mund të ketë zhvillime të papritura. Disi edhe dhimbja është më e vogël sepse në ndërdije pajtohemi me ate që pritet të ndodhë. Duke e menaxhuar veten tonë edhe situatën e mbajmë më lehtë nën kontrollë. Prandaj edhe ceremonia e varrimit si edhe vizitat për kryeshëndoshë shkojnë sipas një planifikimi të projektuar më herët. Edhe për rrëzimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës jemi njoftuar më herët prandaj edhe kemi qenë të pregatitur për humbjen e madhe me të cilën do të përballemi. Ndryshe nuk e di si do t’i ruanim mendtë e kokës. Për fat, përveç vdekjes politike nuk ka pasur vdekje fizike. Si në rastin e parë, vdekjes reale edhe në rastin e dytë, rrëzimit të qeverisë, çdo gjë ka qenë e ditur. Sipas një planifikimi të atyre të cilët nga kjo situatë kanë dashur të përfitojnë politikisht. Dikush që ta rimarrë pushtetin përsëri. Dikush që të sigurojë mbijetesën politike. Të tjerët që të konsolidohen duke fituar në kohë. Disa në përpjekje për ta pastruar të kaluarën e tyre të pistë. Në fund të fundit të gjithë e kërkonin një interes që është krejtësisht e natyrshme. Kohëve të fundit, sidomos pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit dhe largimit ( me një automatizëm urdhërues të presidentit të vdekur politikisht) të ministrave dhe zëvendësministrave nga radhët e LDK-së, Kosova u shndërrua në një cirk, teatër në të cilin rolet ishin të ndara. Kuvendi i Kosovës gjithashtu u shndërrua në një arenë gladiatorësh e sidomos në ditën kur u votua për mosbesimin ndaj Qeverisë së Kosovës. Nëse kjo Qeveri është konsideruar si e vdekur politikisht e kështu janë shprehur thuaja të gjitha subjektet politike që e përbëjnë Kuvendin e Kosovës atëherë dita kur edhe u zyrtarizua vdekja politike është dashur të jetë më dinjitoze. Është shumë e pamoralshme të shkohet në varrim e të flitet keq për të vdekurin. Nuk është në traditën e shqiptarit por as të kosovarit. Tërë ditën e djeshme e kam harxhuar para ekranit televiziv dhe jam ndarë shumë i zhgënjyer me shumicën e diskutimeve të deputetëve të “popullit”. Mund të llogaritet ndoshta edhe si paradoks i llojit të vet dhe pa asnjë dyshim që paraqet befasi mirëpo prej të gjithë deputetëve që kanë diskutuar qëndrimin më dinjitoz, më njerëzor, më joakuzues dhe konstruktiv e kanë pasur deputetët e LDK-së. Ndërkaq që është menduar se ata do të jenë agresiv, akuzues, injorues, fyes, hakmarrës etj. Me këtë qëndrim deputetët e LDK-së e kanë dhënë provimin e kulturës politike. Deputetët e AAK-së kanë vazhduar ta luajnë rolin e opozitës destruktive edhe në çastet kur kjo qeveri i numëronte minutat e fundit të jetës politike gjë që nuk iu bënë aspak nder dhe nuk ua rritë përqindjen e votave. Ardian Gjini është sharmant kur e përdorë me vend humorin e zi ndërsa bëhet i padurueshëm kur fyen majtas dhe djathtas, pa fakte. AAK ka pasur disa raste të arta të kërkojë mocionin e votëbesimit për Qeverinë e koalicionit dhe këtë nuk e ka bërë ndërsa tash ishte kundër këtij mocioni. Nëse LDK ka pasur arsye ta refuzojë pjesëmarrjen në votim për shkak të përmbajtjes së tekstit të mocionit( edhe unë do ta refuzoja po të isha në vend të tyte), AAK nuk ka pasur asnjë arsye. Madje, nëse kemi parasysh zhurmën që ka prodhuar kundër Qeverisë Thaçi që nga viti 2008, AAK është dashur që këtë votëbesim ta përcjellë me tupana. Disa deputetë të PDK-së kanë diskutuar në stilin e Maço Lakrorit dhe shokut Pilo Peristerit ( ish-anëtarë të Politbyrosë së Partisë së Punës të shokut Sali Berisha) . Po figura më tragjike e kësaj cirkusiade në Kuvendin e Kosovës ka qenë pa asnjë dyshim pronari i kooperativës politike të quajtur AKR, presidenti i saj, Behgjet Pacolli. Po ç’tha në fakt Moamer El Pacolli?. Në këtë SEANCË, ministrat dhe z. ministrat e LDK-së i akuzoi për dezertim dhe sabotazhë. Presidentin Sejdiu e akuzoi për shkelje të Kushtetutës dhe DISKREPANCË. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u akuzua se e shkeli Kushtetutën e Kosovës me Fatmir Sejdiun në KONKORDANCË. Ndërsa të gjithë së bashku, konkretisht koalicioni në fjalë u akuzua për INJORANCË. Derisa e lexonte fjalën që i kishin shkruar të tjerët Pacolli hahej disi. Mirëpo në çastet kur i rritej adrenalina apo sheqeri dhe kur e përfytyronte veten në rolin e një Nostradamusi që e paska parashikuar dështimin e këtij koalicioni të panatyrshëm ai nxehej tej mase duke harruar se shumë afër tij ishte ai që ka mundësi ta ngrejë në majat e Olimpit politik por edhe ta varrosë politikisht, Hashim Thaçi. Prandaj, në çastet e rikthimit të kujtesës kthehej në të djathtë duke i kërkuar falje Z. Kryeministër dhe duke ditur shumë mirë se nuk ka ardhmëri politike pa Hashim Thaçin kokën e të cilit e kërkonte. Sa isha në vuajtje të dënimit në Stara Gradishkë pata takuar një të burgosur kroat me emrin Shtef e jo Shef siç mund ta keqinterpretoni lexues të nderuar. Shtefi, në çaste të ngazëllimit e glorifikonte veten e tij duke e paramenduar veten në rolin e Napoleonit. Nuk i bënte aspak përshtypje prania e të burgosurve tjerë andaj në rolin e Napoleonit ndante urdhëra formacioneve ushtarake të imagjinuara komandant e strateg i së cilëve ishte ai. E zhvendoste këmbësorinë nga një pozicion në tjetrin. Ashtu vepronte edhe me kavalerinë dhe artilerinë. Performanca e tij prej strategu ushtarak zgjaste afërsisht 20 minuta. Pastaj, nga roli i një strategu dhe Imperatori siç ishte Napoleon Bonaparta ai përsëri bëhej vdekatar i rëndomtë sikur të gjithë të burgosurit e tjerë, bëhej Shtefi, i dënuar për mashtrim dhe falsifikim. Ama, për 20 minuta vërtet ishte dhe ndjehej si Napoleoni. Në këtë rol ishte edhe Behgjet Pacolli dje, në seancën e Kuvendit të Kosovës. Me një dallim që ai e kishte tejkaluar rolin e tij prej “opozitari”. Sillej si të ishte vet pushteti ndonëse nuk i interesojnë postet politike por konstruktiviteti pozitiv dhe mundësisht fitimi i sa më shumë tenderëve. Ky qenka programi i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në kushte të zakonshme:
Kryeministri në dorëheqje të përkohshme, Hashim Thaçi po sulmohet se qëndron prapa organizimit të vëtëbesimit për Qeverinë që deri dje e ka drejtuar. Është e vërtetë e madhe se kriza institucionale dhe politike ka filluar me dorëheqjen e presidentit Sejdiu e është intensifikuar me urdhëresën për t’i braktisur postet ministrat dhe z. ministrat e LDK-së. Kriza morale ka qenë permanente. Prandaj, jam i sigurt se Hashim Thaçi nuk ishte përgjegjës për këtë krizë. Fatmir Sejdiu, si lojtar i fundit shkaktoi penaltinë dhe Hashim Thaçi do të tregohej i marrë nëse nuk do ta shfrytëzonte këtë rast për të shënuar, për të siguruar edhe një mandat qeverisës. U tregua si menaxher i aftë i situatës së krijuar. Si gjuetar me përvojë e zuri pritën dhe nuk dëgjohej fare. Kundërshtarët e tij nga opozita dhe pozita thonin se e hëngri Hashimi. Ai i bëri llogaritë se cila është koha më e mirë për t’i organizuar zgjedhjet ku nuk do të rrezikohej aspak pozita e tij dhe subjektit që e drejton. I doli se dhjetori është koha më e mirë. Ashtu edhe po del. Konkurenti kryesor, LDK u përça edhe më shumë dhe nuk ka gjasa ta rrezikojë aspak. Me një krah destruktiv apo militant ( krahu i Bukoshit) dhe një krah të kompromentuar politikisht ( nëse mbetet krahu i Fatmir Sejdiut ), LDK nuk paraqet ndonjë opsion atraktiv për votues. Gjasat e fundit që LDK të faktorizohet është që të ulen rreth zjarrit që vet e kanë ndezur të gjitha rrymat dhe ta arrijnë një kompromis që do ta shpëtonte këtë subjekt nga defaktorizimi apo erozioni final. Në me krye Isa Mustafën i cili në berzën politike të Kosovës është më i vlerësuari nga radhët e LDK-së. Edhe këta të LDK-së që i mbrojnë interesat personale apo grupore duhet ta kenë të qartë se këto interesa mund t’i realizojnë më lehtë nëse e forcojnë subjektin që momentalisht e kanë vënë në shtrat të vdekjes, LDK-në. Nëse edhe më tutje vazhdojnë të përçahen, nuk do të mund të bëhen as anëtarë të AKR-së. Hashim Thaçi do t’i fitoi edhe këto zgjedhje, pa asnjë dyshim. Edhe një mandat qeverisës. Duket se nuk ka alternativë. Ka një elektorat stabil dhe tradicional. E ka përkrahjen e “miqve” ndërkombëtarë. EULEX-i po bëhet gati për Krishtlindje dhe më nuk është duke peshkuar as peshq të vegjël e as të mëdhenj. Endru Sparks nuk po ndihet se është gjallë ndërsa boss-i i ri i EULESH-it, gjenerali Ksavier bu de Marnak po merret me barazinë gjinore. Ambasadori Dell po i bënë llogaritë e fundit rreth privatizimit. Ai po na merr ne në qafë ndërsa mediet po e marrin në qafë z. Dell sepse po e keqinterpretojnë. Këto medie ( jo të gjitha), të “pavarura “ siç janë nuk kanë guxim as madje ta keqinterpretojnë. Të gjitha këto i krijojnë favore të dukshme Hashim Thaçit për t’i fituar edhe një palë zgjedhje. Partitë kryesore fushatën parazgjedhore e kanë përfunduar andaj këto 10 ditë për fushatë i kanë të tepërta. Për hesapin tim këto zgjedhje as nuk janë normale e as që mbahen në kushte normale. As nuk do të ketë mundësi të organizohen mirë e as të monitorohen mirë. Që do të thotë se votat do të mund të vidhen mirë. Them se PDK do t’i fitojë zgjedhjet pa asnjë vështirësi. LDK do të jetë partia e dytë nëse eliminohet talibanizmi dhe kanibalizmi nga radhët e tyre dhe ringjallet Anton Çeta. Koalicioni i Madh dhe ambicioz parazgjedhor AKR- PD do të faktorizohet shumë nëse e kalon pragun zgjedhor. AAK do të jetë partia e tretë apo e dytë, varësisht nga LDK-ë. LDD do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës vetëm si pjesë e LDK-së apo AAK-së, ndryshe nuk ka forcë ta kafshojë pragun zgjedhor sepse po i kontestohen dhëmbët liderit të saj.
Dhe krejt në fund e mira e së mirës të këtij Mocioni ishte se më në fund dëgjova që Piter Fejt qenka ende gjallë. Sinqerisht u pata brengosur për shëndetin e tij, fizik dhe politik.