Oksford, 4 nëntor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u prit dje në një atmosferë dashamirëse në mjediset e “Oxford Union” nga presidenti i tij, Xhejms Kingston, me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur e miqësore.
Në këtë takim, Topi shprehu kënaqësinë e veçantë dhe interesin për vizitën në mjediset e këtij universiteti, i cili në shekuj ka mbrujtur e frymëzuar studentë, profesorë, studiues, akademikë e intelektualë nga mbarë bota me ideale humaniste në mbështetje të fjalës së lirë dhe të demokracisë.
“Për dikë që për herë të parë, qoftë dhe për disa çaste, bëhet pjesë e Oksfordit, një prej majave më të larta të dijes mes institucioneve arsimore në botë, kjo është padyshim një ndër përvojat më emocionuese që mund të ketë në jetën e tij”, - u shpreh presidenti Topi, duke vlerësuar lart rolin që universiteti i Oksfordit dhe stafet akademike, që prej themelimit të tij kanë dhënë në edukimin e udhëheqësve të shquar botërorë dhe në zhvillimin e aftësive të brezave të tërë intelektualësh dhe personalitetesh të fushave të ndryshme, të cilët në momente kyçe të zhvillimit shoqëror kanë qenë në ballë të debatit ndërkombëtar.
Ndërsa presidenti i “Oksford Union”, Xhejms Kingston theksoi se të gjithë studentët anëtarë ndihen tepër të nderuar nga prania e presidentit Topi duke vënë në dukje se në radhët e ligjëruesve të mëparshëm numërohen ish-presidentët amerikanë Nikson, Regan dhe Karter dhe shumë kryetarë shtetesh e qeverish nga mbarë bota.
Pasi vuri në dukje se historia e ndërlikuar e Shqipërisë dhe mundësia e një të ardhmeje si anëtare e Bashkimit Evropian e bëjnë vendin tonë një objekt interesi të thellë për studentët e Oksfordit, Kingston e ftoi kreun e khtetit shqiptar të mbajë një ligjëratë para një audience të madhe dhe shumë të interesuar. Në ligjëratën e tij presidenti Topi, pasi nënvizoi edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe angazhimin dhe vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshme, kryetari i shtetit bëri një përshkrim të situatës politike dhe ekonomike në vend.
Ai u përqendrua në evidentimin e arritjeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian dhe atmosferën optimiste të krijuar pas miratimit të raportit për liberalizimin e vizave, “çfarë është pasuar nga një punë me përkushtim e strukturave shtetërore të vendit tonë për sensibilizimin e qytetarëve për të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga ky proces”. Në vijim, presidenti vuri në dukje disa prej potencialeve ekonomike që ofron Shqipëria, duke nënvizuar klimën e favorshme për zhvillimin e biznesit dhe duke shprehur bindjen se institucionet shqiptare do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të përmbushur aspiratat integruese të shtetasve të vet. Gjithashtu, Topi nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë partner i rëndësishëm e tradicional në bashkëpunimin ekonomik dhe theksoi se Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe kuadrin e nevojshëm ligjor për të tërhequr më tepër investitorë britanikë, duke synuar rritjen dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit më të madh ekonomik, sidomos në sektorë prioritarë e strategjikë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Më tej, presidenti Topi ofroi një panoramë të detajuar të ndryshimeve rrënjësore që ka pësuar rajoni i Ballkanit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe përballjes me një realitet të ri gjeopolitik.
“Shteti i ri, multietnik dhe demokratik i Kosovës ka kontribuar ndjeshëm në rritjen dhe konsolidimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, duke bërë që Ballkani të shkëputet përfundimisht nga e kaluara e turbullt e mbushur edhe me konflikte ndër-etnike dhe të orientohet i gjithi drejt integrimit euro-atlantik dhe zhvillimit ekonomik”, vuri në dukje ai duke theksuar nevojën dhe rëndësinë në këtë drejtim të zgjerimit të gjeografisë së vendeve që duhet të njohin pavarësinë e Kosovës.
Në këtë aspekt, Topi theksoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për konsolidimin paqen dhe qëndrueshmërinë e tij si dhe ndërtimin e marrëdhënieve dhe të një bashkëpunimi të frytshëm rajonal. n.e/NOA