Për të arritur deri në raportin e Komisioneres Malstrom që vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit e korrupsionit, përmbushjes së udhërrëfyesit dhe deri tek votëbesimi juaj në PE për reformat e realizuara, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e tjera kanë bërë një punë të madhe e serioze
Nga Jozefina Topalli
Kryetare e Kuvendit
Të nderuar miq, kolegë, anëtarë të Komitetit të Stabilizim Asocimit,
Ky takim i dytë i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-asocimit është shprehje e nivelit shumë të lartë të bashkëpunimit mes PE dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në fillim dua të përshëndes mbështetjen me mazhorancë të stërmadhe që PE demonstroi nëpërmjet votimit të datës 7 Tetor 2010, në drejtim të procesit të liberalizimit të vizave për vendin tonë. Dua t’ju falënderoj në mënyrë të veçantë secilin prej Jush, që njohët me ndershmëri progresin e përmbushjes së reformave në Shqipëri. Ne po presim, të bindur se vota e PE do të pasohet nga miratimi i Ministrave të Brendshëm të BE me 8 Nëntor, për heqjen e vizave. Ky vendim për udhëtim pa viza është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët e vendit tim. Ai do të na afrojë më shumë me BE-në. Regjimi pa viza do ta bëjë perspektivën evropiane më të prekshme. Ne e konsiderojmë këtë liri bashkudhëtare me përgjegjësitë e qytetarëve shqiptarë. Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë të gjitha garancitë e nevojshme për konsolidimin dhe progresin e mëtejshëm të arritjeve të bëra.
Për të arritur deri në raportin e Komisioneres Malstrom që vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit e korrupsionit, përmbushjes së udhërrëfyesit dhe deri tek votëbesimi juaj në PE për reformat e realizuara, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e tjera kanë bërë një punë të madhe e serioze. Kuvendi i Shqipërisë, që pas zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, që u vëzhguan nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, nga Ju, nga PE-ja dhe të çertifikuara nga OSBE/ODIHR si zgjedhje që plotësuan kriteret kryesore te OSBE/ODIHR, ka punuar me përkushtim, ka bërë të mundur një bilanc legjislativ pozitiv të konsiderueshëm e të rëndësishëm. Nga shtatori 2009 deri sot që po flasim, Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar 284 ligje, vendime e rezoluta.
Në Komisionet Parlamentare, në 577 takime, apo 901 orë, janë shqyrtuar dhe kaluar për votim në seancë plenare 299 projekte (ligje, vendime, dhe rezoluta). U organizuan 136 seanca dëgjimore. 98 grupe interesi u ftuan në këto seanca dëgjimore me qëllim që të merrej mendimi i tyre për projekt ligjet në proces shqyrtimi. 16 institucione kushtetuese apo ato të ndërtuara me ligj raportuan në mbi veprimtarinë e tyre vjetore në komisionet parlamentare. Komisionet ushtruan 35 kontrolle parlamentare në institucionet qeveritare dhe në ato publike. Në diskutimet e deputetëve në seanca plenare mbi projekt-ligjet, deputetët socialist mbajtën më shumë se 262 diskutime, që shtrihen përafërsisht në 45 orë.
Në periudhën e sipër-përmendur komisionet e përhershme parlamentare të parlamentit kanë zhvilluar 335 takime, që zgjatën 444 orë. Deputetët socialistë kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në komisionet e përhershme parlamentare. Në këto takime ato kanë bërë diskutime, të barabarta në numër me ato të bëra nga deputetët e maxhorancës. Në disa projekt ligje ata kanë pasur funksionin e raportuesit apo bashkë-raportuesit. Ata kanë marrë pjesë ne diskutimet në parim dhe përmbajtje të projekt ligjeve. Deputetët socialistë, anëtarë të komisioneve të përhershme kanë votuar për çdo rast për të cilin është gjykuar në komisione. Deputetët Socialistë kanë paraqitur amendamente për projekt-ligjet gjatë gjykimit në komisione parlamentare, një pjesë e të cilave u pranuan. Me kërkesë të deputetëve të PS-së u mbajtën 28 seanca dëgjimore me grupet e interesit që janë të interesuar me projekt-ligjet në fjalë. Në kalendarin e punës së Kuvendit ka qenë Gjykata Administrative, por opozita nuk pranoi ta votonte. Në axhendën e Kuvendit është zbatimi i rekomandimeve të OSBE për reformën zgjedhore. Për këtë, Kryeministri Berisha i ka ofruar opozitës që ato të propozojnë amendamentet, dhe pas mendimit të OSBE/ODIHR-it, t’i votojmë në Kuvend. Kryeministri Berisha thirri ne Kuvendin e Shqipërisë, tryezën e Reformës zgjedhore, ku mori pjesë Kryetari i PS, Ambasadori i OSBE në Shqipëri, dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile në Shqipëri. Pas kësaj, mazhoranca përmes Kryetarit të Grupit të PD zhvilloi takime me Kryetarë të tjerë të Grupeve dhe teknicienet e fushës së zgjedhjeve.
Mazhoranca përmes Kryetarit të Grupit Parlamentar te PD, ka bërë ofertat bazuar në Rezolutën e PE, për hetimin e zgjedhjeve të 2009. Po ashtu mazhoranca i ka ofruar opozitës dhe Ombucmanin. Axhenda e Kuvendit ka qenë axhendë e reformave dhe e integrimit.
Në tavolinë, në dosje ju do shikoni 204 ligjet e miratuara në Parlament, nga të cilat do të veçoja “Ligjin e konfiskimit të aseteve të krimit” ose ligjin “Antimafia”, ligjin “Mbi mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, ligjin “Mbi raportet juridiksionale me autoritetet e huaja në rastet penale”, ligjin “Mbi mbrojtjen kundër diskriminimit”, ligjin “Mbi dokumentacinin elektronik”, ligjin “ Mbi organizimin e policisë gjyqësore”, “Mbi investimet e huaja”, paketa fiskale, e shumë ligje të tjera në fusha të ndryshme. Politika jonë është ekonomia dhe integrimi. Nuk e fsheh që ndihem mirë që për shkak të ligjeve financiare e ekonomike që kemi miratuar, Shqipëria vitin e fundit ka një rritje eksportesh prej 62%, rritje të investimeve dhe rritje ekonomike prej 3,5% në krahasim me vitin e kaluar. Kuvendi i Shqipërisë ka një bilanc të rëndësishëm reformash, një vit pas zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka patur. Duke miratuar 204 ligje e reforma të vështira, e të mëdha që kanë transformuar Shqipërinë, ne presim vlerësim realist e të ndershëm prej BE-së.
*Fjala e mbajtur në Takimin e 2-të Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri