English

A do të ketë ndryshime në politikën e jashtme?

Eliot Abrams, ish-diplomat amerikan, i cili aktualisht punon për Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Uashington, thotë se prominenca e re e udhëheqësve konservatorë me siguri se do të çojë në një qëndrim më të ngurtë të Shteteve të Bashkuara ndaj programit bërthamor të Iranit

Nga Free Europe

Partia Demokratike e presidentit Barak Obama pësoi goditje të rëndë në planin e brendshëm në zgjedhjet për Kongres. Si do të ndikojë kjo në agjendën e tij jashtë?

Fitoret e bindshme të republikanëve në zgjedhjet për Kongres, me gjasë do të kenë ndikim të madh në kursin e politikës së jashtme amerikane. Ekspertët parashikojnë, përveç tjerash, një linjë më të fortë ndaj Iranit, marrëdhënie më të ndërlikuara me Rusinë dhe shtyrje të mundshme të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani. Megjithatë, mund të ketë edhe disa befasi në raportet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Arsyeja për këtë pasiguri është dalja në skenë e Tea Party, lëvizje me rrënjë konservatore, thirrjet e së cilës u ndihmuan republikanëve ta kontrollojnë Dhomën Përfaqësuese. Eliot Abrams, ish-diplomat amerikan, i cili aktualisht punon për Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Uashington, thotë se prominenca e re e udhëheqësve konservatorë me siguri se do të çojë në një qëndrim më të ngurtë të Shteteve të Bashkuara ndaj programit bërthamor të Iranit. “Mendoj se do të mund të dëgjojmë më shumë nga republikanët për të mos negociuar një marrëveshje të keqe me Iranin, e cila do t’i mundësonte Teheranit ta vazhdojë pasurimin e uraniumit. Mendoj se do të ketë shtytje për një linjë më të fortë, që asnjë marrëveshje të mos lejojë pasurimin e uraniumit”, thotë Abrams. Ai vë në dukje se Kongresi e ka dosjen në agjendën që daton nga administrata e mëparshme e Xhorxh Bushit dhe nuk beson se ky trend do të ndryshojë nën udhëheqjen e republikanëve në Dhomën Përfaqësuese. Fiona Hill, nga Instituti Brukings në Uashington, thotë se klima tejet e polarizuar para zgjedhjeve mund t’i çojë republikanët të bëjnë agjitacion në Senat kundër presidentit, i cili e vuri përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë si njërin ndër sukseset kryesore në politikën e jashtme. “Duket se administrata me të vërtetë e dëshiron marrëveshjen START, por republikanët nuk duan që administrata ta shënojë këtë sukses. Ka pasur raste kur burrështetas janë nxjerrë nga loja për gjëra që vërtet janë në interesin e Shteteve të Bashkuara”, thotë Hill. Disa nga republikanët tradicionalë e kanë kritikuar presidentin Obama për caktimin e datës për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Pritet që udhëheqësit republikanë në Dhomën Përfaqësuese ta vazhdojnë këtë vijë të sulmit. Por, ka një fushë ku mund të ndërhyjnë të ardhurit nga lëvizja Tea Party. Për shembull, senatori i ri, Rand Paul, kandidat i Tea Party nga Kentaki. Para zgjedhjeve, ai u shpreh skeptik ndaj përpjekjeve të administratës Obama për ta shpërlarë Qeverinë e Hamid Karzait në Afganistan. Këtë tendencë Obama e trashëgoi nga paraardhësi i tij, Xhorxh Bush. “Ka njerëz të arsyeshëm, konservatorë si unë, të cilët besojnë se mbrojtja është roli primar i qeverisë federale, por nuk besojnë se Afganistanin mund ta bëjmë shtet. Ai kurrë nuk ka qenë i tillë”, tha Paul. Megjithatë, zgjedhjet përvijuan një linjë të qartë, se presidenti Obama doli prej tyre si president i dobësuar. “Kjo nënkupton se në përgjithësi, ai i cili përpiqet të rezistojë, me siguri ndjen se rezistenca është pak më e lehtë. Ky sigurisht është rasti me izraelitët dhe palestinezët, të cilët, si duket, nuk janë aq të nxehur për negociatat siç jemi ne në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se të dyja palët tash do të ndjejnë se do të duhej të zmbrapsen”, thotë Abrams.

KOMENTE