Shkup, 5 nëntor, NOA – “Me shume seriozitet po e përsëris se shqiptarët janë shumë të interesuar për fatet e Maqedonisë, shqiptarët janë shumë të interesuar për fatet e vendit të tyre, sepse ky është vendi ynë, së bashku me fatet dhe fatkeqësitë, cilado qofshin ato”. Kështu shprehet kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë të dhënë për “Zhurnal”.
“Ne punojmë për fatin e vendit dhe nuk duam të jemi pjesë e fatkeqësisë, ne nuk duam të jemi pjesë e krijimit të krizave dhe konflikteve, por duam të jemi pjesë konstruktive e zgjidhjes së problemit, pa u keqkuptuar tek bashkëqytetarët tanë maqedonas”, tha ai.
Z.Ahmeti, Maqedonia po ngec në integrimin e saj në NATO dhe BE, kurse tek shumica e shqiptarëve këtu është krijuar bindja se kjo është për faj të maqedonasve, të cilët nuk po gjejnë kompromis me Greqinë. Sa mundet që kjo pakënaqësi e shqiptarëve të shpërthejë dhe të shkaktojë destabilizim në Maqedoni?Nuk mendoj se shqiptarët duhet të shndërrohen në mjet për të krijuar konflikte dhe kriza të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Çështja e Maqedonisë duhet të shihet si çështje e tërësishme dhe Maqedonia mund të ketë progres, vetëm duke u harmonizuar qëndrimet ne mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, që kanë përgjegjësi edhe për pasojat edhe për veprimet që duhet të bëhen për të ecur vendi përpara. Nuk mendoj se ne duhet të ushqejmë tezën se duhet të ndahen në qëndrime dy komunitetet më të mëdha. Çështja e integrimit në NATO dhe BE, që të gjithë bashkërisht duhet të angazhohemi që sa më parë të arrihet, sepse disa herë është theksuar se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në NATO dhe BE. Po ashtu, edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në NATO dhe BE. Maqedonia dhe Ballkani perëndimor nuk duhet të mendohen tani që situatat t’i kthejnë pas dhe të kthehemi në situatat e viteve ’80-ta, ’90-ta apo të vitit 2000, por duhet të mos e humbim hapin e duhur dhe të gjithë të jemi në shërbim të integrimit të vendit, por edhe të rajonit, brenda strukturave të NATO -s dhe BE-së. Mendoj që ka bisedime, mendoj që nuk duhet qytetarët e Maqedonisë të ndodhen për çdo ditë nën presion dhe terror psikologjik se në Maqedoni sërish do të kthehen luftërat, se do të kthehen konfliktet. Nuk duhet rajonin gjithashtu ta mbajmë nën psikozën se po kanoset nga një luftë e re, qoftë si rajon i Ballkanit Perëndimor, qoftë edhe Ballkani në tërësi. Politika e të gjitha vendeve brenda rajonit, por edhe e Republikës së Maqedonisë është që ne sa më parë të jemi pjesë e strukturave euro-atlantike. Është më se e vërtetë se ne po përballemi me një çështje të pazgjidhur, që krijon vonesa, e kjo është çështja e emrit të Maqedonisë. Greqia është brenda shtëpisë së madhe, është brenda NATO-s dhe BE-së. Ajo i ka të gjitha mundësitë e lobimit, e ndoshta edhe të pengimit, në momente të caktuara edhe të vendosjes së vetos, sepse është brenda mekanizmave vendimmarrëse. Është një e vërtetë që ne jemi brenda këtyre mekanizmave dhe ne po bëjmë përpjekje maksimale që edhe kjo të ndodh për Republikën e Maqedonisë, siç ndodhi për Republikën e Shqipërisë apo më mirë të themi për Kartën e Adriatikut, që në pako shkuan Kroacia dhe Shqipëria, po në të njëjtën pako ishte edhe Maqedonia. Dhe, të gjithë sugjerojnë dhe të gjithë bëjnë thirrje që sa më parë të gjendet një kompromis, të gjendet një zgjidhje. Unë kam thënë dhe e them përsëri, se kjo është një çështje e ngarkuar me emocione, e ngarkuar me të kaluarën, me historinë e Ballkanit. Dhe, ku ka emocione dhe ku ka kthim në histori, sigurisht se ka edhe vështirësi për të vepruar politika dhe logjika e ftohtë. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar mund të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar dhe për të ndihmuar, jo në mënyrë arbitrare, jo me shkop magjik, por thjeshtë të ndihmojë palët që te tejkalojnë emocionet. Ne, si shqiptarë, vërtet jemi në pozitë delikate, sepse ne nuk mund të ushtrojmë presion të hapur mediatik ndaj bashkëqytetarëve tanë, sepse kjo mund të shndërrohet në kundër-efekt, sepse lirisht mund të dalin dhe të thonë se “ja shqiptarëve nuk u intereson zgjidhja e problemit, nuk u interesojnë fatet e Republikës së Maqedonisë”. Me shume seriozitet po e përsëris se shqiptarët janë shumë të interesuar për fatet e Maqedonisë, shqiptarët janë shumë të interesuar për fatet e vendit të tyre, sepse ky është vendi ynë, së bashku me fatet dhe fatkeqësitë, cilado qofshin ato. Ne punojmë për fatin e vendit dhe nuk duam të jemi pjesë e fatkeqësisë, ne nuk duam të jemi pjesë e krijimit të krizave dhe konflikteve, por duam të jemi pjesë konstruktive e zgjidhjes së problemit, pa u keqkuptuar tek bashkëqytetarët tanë maqedonas. Unë shumë hapur kam folur edhe me zotin Gruevski dhe me partitë opozitare maqedonase...ne jemi të interesuar që sa më parë kjo çështje të mbyllet, do të jemi dhe do të përpiqemi të jemi shumë të dobishëm, shumë konstruktiv. Ne mbajmë kontakte me të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendosjes, mbajmë përgjegjësi para elektoratit tonë, mbajmë përgjegjësi edhe për të gjitha ato premtime që ne i kemi bërë para elektoratit tonë, qoftë për reformat në vend, qoftë për avancimin e Marrëveshjes së Ohrit, si çështje tepër e rëndësishme për shqiptarët etnik të Maqedonisë, qoftë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Unë mendoj se punën tonë, ne me shumë seriozitet po e bëjmë. Para disa javëve qëndruat në Bruksel, ku u takuat me përfaqësues të lartë të BE-së dhe të NATO-s, në mesin e të cilëve edhe me komisarin për zgjerim, z.Fyle. A keni tani një pasqyrë më të qartë se deri ku ka arritur zgjidhja e kontestit të emrit? Brukseli është shumë i interesuar që në Maqedoni, mbi të gjitha, të ketë paqe, stabilitet dhe siguri. Brukseli është i interesuar që të funksionojnë raportet e mira midis dy komuniteteve më të mëdha, duke nënkuptuar me këtë Marrëveshjen e Ohrit. Brukseli është i angazhuar dhe i interesuar që Maqedonia të kryejë me sukses reformat në të gjitha fushat ku ka mangësi dhe ku ka orientim apo këshillim nga vetë Brukseli. Gjithashtu, Brukseli është i interesuar që Maqedonia sa më parë të mbyllë çështjen e emrit dhe të kap hapin e duhur drejt fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Është më se e vërtet se unë kam shprehur brengat në të gjitha takimet që kam pasur, duke filluar që nga komisari për zgjerim, z-ri Fyle, deri tek zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, me çka kam kërkuar që Brukseli të veprojë me një intensitet apo me një shkallë pak më të lartë të angazhimit, që të ndihet më afër në drejtim të lehtësimit të bisedimeve dhe gjetjes së një zgjidhje apo kompromisi për çështjen e emrit. Nga të gjithë është sugjeruar, nga të gjithë na është këshilluar që faktorë vendimtarë janë autoritet vendore të vendeve ku paraqitet kontesti dhe që të gjithë duhet të angazhohemi që të punojmë në drejtim të gjetjes së një zgjidhje. Dhe, nga ana e Brukselit sigurisht se zgjidhja do të përshëndetej. Maqedonia është shumë afër fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, mirëpo paraqitet si problem kontesti i emrit, që kontestohet nga Republika e Greqisë. Mendoj se mesazhet kanë qenë shumë të qarta, si për mua, si për të gjithë autoritetet shtetërore, që kanë bërë vizita dhe takime edhe para meje në Bruksel, që ne të gjithë potencialin tonë njerëzor dhe të gjitha kapitalin tonë politik dhe energjitë duhet t’i orientojmë në këtë çështje. Nuk e them këtë pse tek unë është ushtruar ndonjë presion dhe unë tani të ushtrojë presion tek autoritet më të larta të Maqedonisë, apo për të kërcënuar autoritet vendore. E them se unë nuk ndodhem para ndonjë kërcënimi dhe nuk dua që të ndjehet si kërcënim, por si nevojë, si domosdoshmëri, që ne duhet të kërkojmë zgjidhje, sepse vonesat nuk janë në favor të Maqedonisë, të konceptit, përfshirë këtu edhe të vetë konceptit të partisë më të madhe në vend, VMRO - DPMNE – së, e cila është për integrim të vendit në NATO dhe BE. Këtë nuk e mohon askush, por këtu duhet një vullnet i fuqishëm dhe guxim për vendim vendimtar dhe përfundimtar për ta mbyllur këtë kapitull, që tash e njëzet vjet po qëndron nëpër arkiva dhe sirtarë të ndryshëm të ministrive të Jashtme dhe të vendeve, të cilat angazhohen për Ballkanin Perëndimor, që te jetë pjesë e integruar në NATO dhe BE. Gjatë vizitës së fundit në Shkup, Herman Van Rompuj, theksoi edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit, si kusht për integrimin e Maqedonisë në BE. Mirëpo, në ndërkohë po ngec implementimi i disa pjesëve të kësaj marrëveshje. Deri ku ka arritur zgjidhja e statusit të ish-UÇK-së, mbyllja e rasteve të Hagës, si dhe çështje të tjera që dalin nga kjo marrëveshje. Sa i takon dosjes së Hagës, unë mendoj se Marrëveshja e Ohrit këtë çështje e ka mbyllur me rastin e votimit të Ligjit për amnisti në Parlamentin e Maqedonisë. Është çështje tjetër që bëhen akrobacione brenda burokracive të ndryshme, brenda institucioneve të ndryshme. Unë mendoj se edhe për këtë çështje duhet guxim, që palët të pranojnë vendimin e organit më të lart ligjvënës – Parlamentit të Maqedonisë, i cili ka votuar një ligj që i amniston të gjitha palët në konflikt, duke përjashtuar të gjitha ato raste që kanë të bëjnë dhe lidhen drejtpërsëdrejti me krime lufte, por që këto krime verifikohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Të gjitha prononcimet e UÇK-së kanë qenë në këtë vijë në atë periudhë, kur është hartuar Ligji për amnisti, sepse ne nuk morëm përsipër të mbrojmë krimet. Ne kemi Tribunalin e Hagës, Konventën e Gjenevës mbi luftërat dhe përfundimisht ne i respektojmë dhe nëse Tribunali i Hagës do të vërtetonte shkeljet e ligjeve të luftës, ne jemi të gatshëm të përgjigjemi para institucioneve ndërkombëtare. Por, nuk duam të keqpërdoret apo të përdoret si presion mbi BDI-në kthimi i dosjes me katër rastet. Ne duam interpretim autentik të Ligjit për amnisti dhe nuk duam të jemi të vetëm në këtë interpretim autentik, por të jenë të gjitha palët që kanë marrë pjesë qoftë në hartim, qoftë në miratimin e këtij ligji në Parlamentin e Maqedonisë. Donë të thotë, ne duam të ketë edhe nga partitë maqedonase në këtë iniciativë të përbashkët dhe mendoj që tek të gjithë duhet të dominojë urtësia dhe gjakftohtësia dhe të kuptohet drejtë se mbyllja e këtij problemi është në favor të Maqedonisë, në favor të pajtimit, në favor të komunikimit mes vete. Z.Ahmeti, deri ku është zgjidhja e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së? Për çështjen e statusit ka keqkuptime në këtë drejtim. Këtu nuk flitet për statusin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sepse vetë statusi i saj është Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje e pranuar ndërkombëtarisht dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar. Donë të thotë, misionin UÇK-ja e ka kryer me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Këtu bëhet fjalë për njerëz që kanë pësuar gjatë luftës së vitit 2001, që kanë mbetur pa gjymtyrë, fëmijë që kanë mbetur pa prindër dhe ne jemi përpjekur që këtë çështje ta zgjidhim në rrugë institucionale, konform ligjeve të vendit. Është punuar dhe punojnë komisionet në këtë drejtim...nuk dua të lidhem tani për kohë se kur do të mbyllet ky kapitull, por nuk mendoj se ka ndonjë reagim nga pala maqedonase, por nuk ka edhe ndonjë vullnet të fuqishëm. Duhet të jemi të realët që kjo çështje të përmbyllet. Ajo është pjesë e bisedimeve, pjesë e menaxhimit të situatës dhe unë kërkoj mirëkuptim, kërkoj që kjo çështje të ketë dimension njerëzor dhe nuk kam kërkuar vetëm për ushtarët e UÇK-së, por kam kërkuar edhe për pjesëtarë të ushtrisë së shtetit të asaj kohe, sepse fundi i fundit, ushtarët, njerëzit, përpara ligjit dhe përpara shtetit duhet të jenë të barabartë dhe trajtimi duhet tu bëhet njësoj atyre, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas. Cili është roli i Shqipërisë në rajon pas anëtarësimit të saj në NATO dhe sa ka ndikuar Shqipëria në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe rajon? Mendoj se Shqipëria është faktor i rëndësishëm brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, me anëtarësimin e saj në NATO. Mendoj se roli i Shqipërisë, tanimë është shumë më i rëndësishëm sesa para anëtarësimit në strukturat e NATO-s. Sa i takon avancimit të çështjes shqiptare në Maqedoni, unë mendoj se faktorë kryesorë janë faktorët vendor, sepse as Kryeministri, as Presidenti dhe as Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, nuk mund të dijë se si brenda ditës zhvillohen ngjarjet dhe se si duhet të avancohet çështja shqiptare në Maqedoni, por për ne si shqiptarë në Maqedoni, por edhe në Kosovë, proceset në Shqipëri në drejtim progresiv janë shumë të rëndësishme, sepse imazhi shqiptar në gjithë botën fitohet përmes Shqipërisë, sepse Shqipëria është shteti amë. Ku me dit se sa punët dhe shqiptarët e Maqedonisë të krijojnë imazh brenda Maqedonisë, ai imazh do të mbetet brenda Republikës së Maqedonisë dhe nuk i shpërthen kufijtë përtej Atlantikut apo përtej Ballkanit, kështu që imazhi shqiptar është dhe krijohet përmes Republikës së Shqipërisë. Dhe, sa më mirë që punët të shkojnë në Shqipëri, aq më krenar dhe aq më imazh të mirë shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni do të ndërtojnë karshi qendrave ndërkombëtare të vendosjes, por edhe karshi shteteve dhe popujve të botës. Në Maqedoni për momentin është duke u zhvilluar procesi i lustrimit, mirëpo partitë shqiptare kanë filluar të shkëmbejnë akuza të ashpra mes vete për gjoja pjesëmarrjen në ish-shërbimet sekrete. Si mendoni, ku do ti çojë shqiptarët mënyra e këtillë e lustrimit? Tani për të thënë të vërtetën, më duket se unë kam pasur një paraqitje publike, në të njëjtën ditë kur u shpërndanë nëpër oborre disa, nën thonjëza, dosje, dhe unë nuk jam pajtuar që kjo të shërbejë për një debat mes partive dhe në një luftë brenda-partiake. Sepse e kam parë atëherë dhe sot, se ky është një provokim shumë i ulët, mirëpo kanë insistuar mediumet, dhe unë mendoj se më tepër është bërë si kërkesë e medieve që në të shpjegojmë dhe të rrëfehemi para qytetarëve të Maqedonisë, se njerëzit tanë paskan bërë gjynahe të mëdha dhe populli nuk e ka ditur që UDB-a, OZN-a dhe segmente të tjera paskan drejtuar Lëvizjet kombëtare të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Atëherë dhe sot, mbetem në atë që të mos ketë përplasje të kësaj natyre, le të dominojë një logjikë e ftohtë. BDI, mendoj se do të respektojë të gjitha thirrjet e njerëzve me përgjegjësi që janë brenda BDI-së, që ne me këto tema të mos merremi, sepse dikush kërkon që t’i fus njerëzit në konflikt. Unë jam i vetëdijshëm që nuk do të ndalet kjo çështje me këto tre-katër dosje, mund të ketë edhe dosje të tjera që do të shpiken për qëllime politike dhe apeloj deri tek Partia Demokratike e z. Thaçit, nëse qëndron pas këtyre veprimeve, sepse gjurmët po çojnë drejt partisë së tij, sepse njeriu që i gjeti këto dosje në oborr, e motra e tij është deputete e partisë së Thaçit, djali i tij është kryetar i forumit të rinisë së PDSH-së, njëri nga të afërmit e tij është kryetari i degës së Tetovës. Ne nuk kemi fakte dhe argumente që mund të akuzojmë drejt për së drejti partinë e Thaçit, por gjurmët na çojnë andej. Unë kisha thirrur të gjithë shqiptarët, kisha thirrur edhe PDSH-në, edhe z. Thaçin, që le të ndërtojnë një koncept, një program, le të konkurrojnë tek shqiptarët, por jo me gjëra të shpikura të cilat vërtet kanë pasojë, në radhë të parë tek familjet e të gjithë njerëzve të apostrofuar dhe të ofenduar. Tani edhe qytetarët...sigurisht se nuk janë të lumtur shqiptarët e Maqedonisë të dëgjojnë zënka dhe përplasje dhe sigurisht se qytetarët e Maqedonisë nuk janë të lumtur që edhe njëherë t’u kthehet e kaluara, duke shpikur spiunë dhe kriminelë për qëllime politike. Edhe njëherë kisha apeluar që të ndalen, le të paraqesin gjëra tjera, sepse kemi çka të paraqesim përpara qytetarëve, kemi gjëra më të mençura, nuk janë punë të mençura këto që bëhen nëpër oborre, apo të njerëzve që nuk kanë oborre, por dosjet u shkojnë në shtëpi. Në prill të vitit të ardhshëm, në Maqedoni do të realizohet procesi i regjistrimit të popullsisë. Mirëpo, prej tani shqiptarët kanë shprehur dyshime ndaj rezultateve që do të dalin nga ky regjistrim. Ne jemi përpjekur që të bëjmë një ligj që u garanton shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, jo vetëm shqiptarëve, mjaft transparencë. Ligji është mjaft i mirë, nuk mund të them se është i përsosur, sepse nuk jam ekspert i kësaj fushe, por jemi përpjekur me ekspertë nga më të mirët që i ka BDI, por edhe në Republikën e Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, që ne ta hartojmë këtë ligj. Në Ligj të gjitha parashihen, duke filluar nga komisionet e deri tek komisionarët, deri tek stërvitjet, trajnimet që duhet të bëhen në këtë drejtim. Tek detajet se kush janë banorë që regjistrohen në Maqedoni, nuk mendoj se është e ndershme të manipulohet se regjistrimi duhet të shtyhet në korrik, se nuk i kemi njerëzit këtu, se njerëzit i kemi në diasporë, po nxjerrin shtëpi të thata në televizione, të zbrazëta pa njerëz... është e vërtetë... Mirëpo, Ligji garanton se të gjithë mund të jenë pjesë të procesit dhe të regjistrohen. Nëse ju vëllain e keni në Zvicër dhe vëllai i juaj njëherë e më shumë brenda vitit ka ardhur në vendin e vet, në shtëpinë ë vet, me numrin e amzës dhe me dokumentacionin që e ka, mund të regjistrohet sepse këtë ia garanton Ligji. Nuk mendoj se kjo çështje duhet të politizohet dhe t’i jepet dimension ndëretnik dhe t’i vëmë tani në garë shqiptarët dhe maqedonasit se kush do të jetë më shumë e kush do të jetë më pak. Mendoj se këtë çështje duhet ta shohim drejtë, ta gjykojmë drejtë. Ka vëzhgues ndërkombëtar, është Eurostati, Ligji është i mirë dhe të gjithë duhet të angazhohen të bëjnë punën e vet që do ta marrin përsipër.
Zhurnal