English

Berisha: Heqja e vizave përgjigje e merituar për të ngujuarit në bulevard

Kuçovë, 5 nëntor, NOA – “Liberalizimi i vizave është përgjigja e merituar që Evropa e qytetëruar i bën vlerësimit të madh të reformave të qeverisë; është përgjigja e merituar ndaj të gjithë atyre që u ngujuan në bulevardin e kombit, me letra e raporte, shkrime e trillime, bën çdo gjë që kjo ditë të mos vijë”.

Kështu i është drejtuar sot banorëve të Kuçovës, kryeministri Sali Berisha duke theksuar se për vendimin për heqjen e vizave ka ndikuar lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, anëtarësimi i vendit në NATO; duke mos lënë mënjanë sipas Berishës edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit si zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kryeministri Berisha u premtoi banorëve të Kuçovës se qeveria së shpejti do të përfundojë rruga Kozarë – Fier Shegan, duke i siguruar ata se do të ndërtohet edhe rruga Kozarë – Kuçovë, një segment kryesor i Boshtit të Jugut, ndërsa brenda viti 2011 do të nisë segmenti përfundimtar i Boshtit të Jugut, segmenti Berat – Tepelenë.

Shefi i ekzekutivit ndodhej në Kuçovë për inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme “Myrteza Kepi” në këtë qytet, një investim me vlerë 40 milionë lekë.

Kjo shkollë ofron ambiente moderne të mësimdhënies, është e pajisur me kabinet biologjie, kabinet gjeografie, me dy kabinete informatike, bibliotekë dhe mjedise sportive.

Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle, ndërsa u ndal në kabinetin e informatikës ku u takua dhe bashkëbisedoi me nxënësit e pranishëm në laborator.

Kryeministri Berisha i garantoi nxënësit e shkollës se qeveria do të të bëjë të mundur që shkollat shqiptare të ndjekin me hapa të sigurt të gjitha shkollat më të zhvilluara të Evropës.

Kryeministri theksoi se qeveria do të investojë edhe më shumë, me qëllim që shumë shpejt që të gjithë shqiptarët të kenë internet dhe kompjuter në shtëpinë e tyre.

Shefi i qeverisë përmendi angazhimin serioz se qeveria e tij, do të investojë gjatë viteve që vijnë për urbanizimin e plotë të komunave, fshatrave dhe bashkive të vendit.

mit/NOA
KOMENTE