English

Berisha-Kukan: Rruga Durrës-Kukës, e rëndësishme

Tiranë, 5 nëntor, NOA - Kryeministri Berisha prit dje në mbrëmje në një takim, delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, të kryesuar nga presidenti i delegacionit për Europën Juglindore, Eduard Kukan.

Ai u shprehu euro-parlamentarëve mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme e miqësore që ata i kanë dhënë qeverisë shqiptare, Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për t’u përafruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian dhe për heqjen e vizave.

Në veçanti, Berisha e vlerësoi si ngjarje historike votimin nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Duke nënvizuar efektet e jashtëzakonshme transformuese të pesë viteve të fundit që reformat e ndërmarra drejt integrimit europian kanë pasur për Shqipërinë, kryeministri i siguroi se për qeverinë shqiptare çdo hap drejt integrimit europian duhet të jetë tërësisht i bazuar në performancë e meritë, si interesi jetik ky i qytetarëve shqiptarë.

Nga ana e tyre, euro-parlamentarët e falënderuan kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe vlerësuan punën e madhe dhe reformat e thella që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë bërë të mundur edhe këto arritje të rëndësishme.

Në veçanti, ata e cilësuan si shumë të madhe punën e bërë për hartimin, përpilimin dhe prezantimin para Komisionit Europian të përgjigjeve të pyetësorit dhe theksuan se cilido qoftë opinioni i Komisionit në këtë pikë, ai duhet parë si një inkurajim për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, por edhe për reformat e ardhshme integruese.

Europarlamentarët vlerësuan gjithashtu infrastrukturat e rëndësishme të realizuara gjatë kësaj periudhe, si rruga e kombit Durrës-Kukës, çka mundëson lidhjen me Kosovën e rajonin në një kohë shumë të shkurtër dhe uruan që edhe në qytetet e mëdha të vendit si Tirana apo qytete të tjera të kenë mundësinë të shohin infrastruktura të kësaj cilësie, në të ardhshme.

Gjithashtu, ata vlerësuan kontributin e Shqipërisë në shërbim të konsolidimit të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon, si dhe rolin konstruktiv të moderuar e të rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vijon të luajë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

n.e/NOA

KOMENTE