Tiranë, 5 nëntor, NOA – Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizituan dje në mbrëmje ekspozitën me vepra të piktorit spanjoll, të shekullit të XX Antonio Clave, e çelur në mjediset e Galerisë së Arteve.
Kjo ekspozitë e cilësuar me vlera të rralla për publikun është hapur në kuadrin e “Vjeshtës Kulturore spanjolle”, nismë kjo nën kujdesin e ambasadës spanjolle.
“Antonio Clave, njëri nga përfaqësuesit më të shquar, më të talentuar të pikturës spanjolle, por dhe evropiane e botërore vjen sot me disa prej kryeveprave të tij, në Galerinë tonë Kombëtare, në kuadrin e javës kulturore midis dy vendeve tona, nën kujdesin e ambasadë spanjolle”, u shpreh Berisha në ceremoninë e rastit.
Duke shtuar se shkolla spanjolle e kulturës, në të gjitha kohërat është një nga shkollat më të shkëlqyera, më të vlerësuara, në pikturën evropiane dhe botërore.
“Clave bashkëkohës i Pikasos, i gjeniut të pikturës në shekullin e kaluar, por edhe i frymëzuar shumë prej tij bëhet dhe mbreti i kolazhit, zot i ngjyrave, kombinimeve, pra shpreh në veprën e tij të gjithë ndjenjat shpirtërore të vetat, kombit dhe të kohës në të cilën jetoi. Në galerinë e arteve hapja e kësaj ekspozite është një ngjarje e madhe, shumë e veçantë, ndaj dhe njëherë dua të falënderoj ambasadën e Spanjës dhe qeverinë spanjolle për këtë ngjarje shumë të rëndësishme dhe ftoj të gjithë artdashësit ta vizitojnë këtë ekspozitë të këtij piktori të madh”, theksoi ai.
n.e/NOA